AKTUALITET, 7 Dhjetor 2021, 16:13

Vizita e Escobar, Basha i ngazëllyer: Po na sjell sinjale të qarta...

Vizita e Escobar, Basha i ngazëllyer: Po na sjell sinjale të qarta...

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi në një intervistë për ‘News24’ se zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar vjen në Tiranë me sinjale të qarta. Deklarata në fjalë i referohet vendimit të DASH për shpalljen non-grata të ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa shtoi se këtu nuk bëhet fjalë për qëndrime personale. Vizita e Escobar vjen dy ditë para Kuvendit të thirrur nga Berisha, që do të mbahet më 11 dhjetor.


“Më vjen mirë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikthyer në vëmendjen e tyre si çështje themelore luftën kundër korrupsionit. E kanë bërë këtë në një kontekst më të gjerë se Shqipëria, por në veçanti për Shqipërinë ka shumë rëndësi, sepse ky është dhe problemi kryesor i Shqipërisë, korrupsioni, pandëshkueshmëria e politikanëve të korruptuar, janë burimet kryesore të të keqes së shqiptarëve, të gjendjes ekonomike, të papunësisë, të mungesës së shpresës së popullsisë në tërësi dhe të rinjve dhe të rejave shqiptare në veçanti. Ndaj këto do të jenë patjetër në fokus të bisedës sime me zotin Escobar, siç kanë qenë edhe në fokus të diskutimeve të mia me partnerët Amerikanë, që kanë ardhur, ju keni parë delegacionet të senatit Amerikan, të kongresit Amerikan dhe në veçanti nisma tona siç janë reforma zgjedhore, siç është vettingu i politikanëve dhe siç është propozimi i fundit, që do të paraqesim, ai për dënimin, ashpërsimin e dënimeve sipas modelit Italian, deri në 22 vjet burg për politikanët e zgjedhur me votat e krimit, po në veçanti po kështu dhe lufta kundër korrupsionit, që po i merr frymën Shqipërisë dhe që po shkatërron mirëqenien e Shqiptarëve dhe shpresat e shqiptarëve”, tha Basha.