TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Viti 2025 ka shënuar një bilanc shqetësues për sigurinë në vendin tonë. Nga 1 janari deri më tani janë regjistruar 39 vrasje, ndërsa në 8 prej tyre autorët vijojnë të mbeten në hije ose ende të paarrestuar. Një pjesë e këtyre krimeve të pazbardhura është përqendruar në veri të vendit, kryesisht në Shkodër dhe Lezhë, duke i kthyer këto zona në epiqendrën e ngjarjeve më të rënda kriminale të vitit.
Zinxhiri i vrasjeve pa autorë të arrestuar nisi më 27 shkurt në Shkodër, ku u ekzekutua Pavlin Preka. Mbetet ende mister vrasja e 20-vjeçarit Pavlin Preka në oborrin e banesës së tij, i cili u konstatua nga xhaxhai; për këtë ngjarje u shoqëruan 20 persona. Pavarësisht hetimeve, deri më sot drejtësia nuk ka arritur të vërë para përgjegjësisë autorin apo autorët e kësaj ngjarjeje.
Vetëm pak javë më vonë, më 17 prill, Lezha u trondit nga vrasja e Gjovalin Prendit, babait të Roan Brahimit, i cili u vra në Greqi një vit më parë në praninë e bashkëshortes dhe fëmijës së tij. Gjovalin Prendi qëndronte në tavolinë me një mik, në lokalin e tij në fshatin Pllanë të Lezhës, kur dy persona të maskuar e qëlluan me breshëri automatiku. 64-vjeçari humbi jetën në vend; pas ngjarjes fshihet hakmarrja, pasi Roan Brahimi ishte një emër i njohur për drejtësinë dhe njihej si rivali i Ervis Martinajt.
Më 1 qershor, në të njëjtin qark u vra Pjetër Kaza, duke e çuar në dy numrin e vrasjeve të pazbardhura në këtë zonë brenda pak muajsh. Vrasje kjo e dyshuar sërish me motiv kryesor gjakmarrjen, si pasojë e konflikteve mes fisit Kaza dhe Gjini. Saga e gjakmarrjes nisi tre dekada më parë.
Vera nuk solli qetësi. Më 4 gusht, në Vau të Dejës, u vra Frrok Lleshaj, një tjetër ngjarje e rëndë që vijon të mbetet pa asnjë të ndaluar. Vrasja e ish-policit lidhet me një hakmarrje të mundshme. Sipas dosjes hetimore dhe vendimit të gjykatës, rezulton se ai ka vrarë kushëririn e tij, Dodë Lleshaj, më shumë se dy dekada më parë.
Ndërkohë, më 4 shtator, Shkodra u përfshi sërish nga krimi, me vrasjen e Kristjan Kolës, rast që edhe sot mbetet pa autor. Kristjan Kola u ekzekutua nga një atentat mafioz, ndërsa po pinte kafe. Motivi i vrasjes mbetet i panjohur, pasi viktima nuk kishte precedentë penalë të rëndë.
Ngjarja më e fundit dhe një nga më të rëndat ndodhi më 11 nëntor në Rinas, ku dy persona, Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani Sheqeri, u vranë në të njëjtën ngjarje kriminale. Atentati ndodhi në një nga zonat më të sigurta, rrethrrotullimi i aeroportit të Rinasit; çdo gjë u kap nga kamerat e sigurisë, por sërish pa rezultat. Në ngjarje u përfshinë njerëz të krimit, por edhe nga radhët e policisë. Edhe në këtë rast të dyfishtë, autorët vijojnë të jenë të lirë, ndërsa hetimet janë ende në vijim.