TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, ka reaguar ashpër pas miratimit të projektbuxhetit 2026 të Bashkisë Tiranë, duke e cilësuar procesin si një “akt të pastër arrogance” nga mazhoranca e majtë dhe një shkelje të parimeve të demokracisë vendore. Sipas Telitit, gjatë seancës së votimit mazhoranca ka vepruar në kundërshtim me rregulloren, duke përjashtuar nga votimi propozimet e opozitës dhe duke shpërfillur interesin publik. Ai bëri të ditur se grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike kishte depozituar paraprakisht 29 amendamente, të hartuara mbi shqetësimet e qytetarëve, familjeve, të rinjve, shtresave në nevojë dhe sipërmarrjes në kryeqytet.
Teliti theksoi se mazhoranca refuzoi amendamente që parashikonin, ndër të tjera, uljen me 30% të taksës së pronës, përgjysmimin e tarifës së pastrimit dhe parkimit, si dhe uljen e taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja, masë që sipas tij do të ndihmonte çiftet e reja në blerjen e banesave.
Sipas deklaratës, u rrëzuan gjithashtu propozime për çerdhe dhe kopshte falas, subvencionimin e ushqimit për nxënësit, kompensimin e çmimit të ujit deri në furnizim 24 orë, si dhe subvencione direkte për fermerët e Tiranës.
Teliti akuzoi mazhorancën se i tha “PO abuzimit me fondet”, duke refuzuar amendamente që synonin ndalimin e pagesave për shërbime të pakryera, uljen e shpenzimeve operative dhe administrative, si dhe eliminimin e fondeve për marketing dhe evente propagandistike, në favor të shërbimeve sociale dhe mbështetjes për të moshuarit. Në përfundim, nënkryetari i Këshillit Bashkiak ftoi qytetarët që të hënën, në orën 18:00, të mblidhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të reaguar kundër asaj që ai e cilësoi si arrogancë, përjashtim social dhe shpërdorim të parasë publike.