AKTUALITET, 30 Janar 2026, 09:54

'S'komentojmë çështje ligjore'/ Raportuesi i PE, Schieder: Shqipëria të fuqizojë luftën ndaj korrupsionit, mbështesim punën e SPAK

'S'komentojmë çështje ligjore'/ Raportuesi i PE,

Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, mbajti një konferencë për shtyp në përfundim të misionit të tij vjetor të mbledhjes së fakteve në Shqipëri.

Schieder tha se Shqipëria duhet të fuqizojë luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se mbështesin punën e SPAK.

“Puna e SPAK të mbetet e pandërprerë nga aktorë të tjerë dhe puna e SPAK të mos pengohet nga institucione të tjera”, tha ai.

Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder i është përgjigjur pyetjes së gazetareve lidhur me përfshirjen e çështjes së imunitetit për zv/kryeministren Belinda Balluku në raportin për Parlamentin Evropian.

Schieder tha se Parlamenti Evropian nuk komenton çështje ligjore, ndërsa shtoi se të gjitha institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK  duke bërë secila hallkë punën e nevojshme.

“Më duhet të them që së pari parlamenti evropian nuk komenton çështje ligjore dhe mendoj që gjithashtu është standard i mirë që institucionet të kryejnë punën e tyre, në këtë rast SPAK dhe të tjerët duhet të bëjnë punën e tyre me gjetjet e tyre ashtu siç e mendojnë ato që është e nevojshme.

Të gjitha institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK. Nuk është për Parlamentin Evropian për të bërë komente specifike. Jam i sigurt dhe për parlamentin në Shqipëri që me këtë përbërje që ka do të bëhen të gjithë diskutimet e duhura dhe do të merren vendimet e duhura”, tja Andreas Schieder.