AKTUALITET, 29 Janar 2026, 21:41

“U vendos standardi i ri që vidhet tenderi 100 për qind”, Soko ngre alarmin për faljen e zyrtarëve të bashkisë nga GJKKO

“U vendos standardi i ri që vidhet tenderi 100 për qind”,

Analisti dhe eksperti i ekonomisë Pano Soko, duke komentuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV vendimin për "amnistimin"  e zyrtarëve të bashkisë së Tiranës për dosjen “5D” u shpreh se ky është një standard i ri që është vjedhur tenderi 100 për qind nga zyrtarët shtetërorë dhe nuk ka përgjegjësu. 

“Dikur ka qenë operacioni më i madh i pastrimit të produkteve të veprës këtu në Shqipëri. Ka qenë OFL-ja. Pse e konsideroj unë operacioni më i rëndësishëm i pastrimit të produktit të veprës? Këto që nisen me tamtame, që do të shkojnë për të kapur, do të shkojnë për të trembur, do të shkojnë për të sekuestruar etj., etj. Ato amnistojnë.

Pra, të gjitha këto operacione që nisen në fakt dhe publikisht shiten, sikur janë goditje ndaj paligjshmërisë, në fakt janë ngjarje të cilat e rrisin dhe më tepër vëllimin e paligjshmërisë në këtë vend.

Çfarë ndodh me këtë që po shohim ne për çështjen e “5D” me vendimin e sotëm të apelit të GJKKO?

Në fakt, në fakt, kjo gjëja në vetvete, vendosja këtij standardi, është amnistim nëpërmjet shpagimit të munguar. Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do thotë që nëpërmjet një standardi të ri, tani gjithësecili mund të kryejë vepra penale të vjedhë para publike, sepse këtu nuk është se u vodh tenderi, këtu merret tenderi 100 për qind. Këtu caktohej një tender për të bërë një rrugë të caktuar.

Rrugën e bënte bashkia me punonjësit e vet, rrugën e bënte bashkia me mallin e vet, me produktet e veta, me makineritë e veta të bashkisë, me punëtorët që merrnin rrogë dhe paratë shkonin te 5D”- tha Soko.