AKTUALITET, 11 Nëntor 2024, 23:22

Skandali me mbetjet toksike, Tomorri: Po tentohet të fshihet ngjarja! Xama: Kurum bëri lëmsh, që të mos i përmendej emri!

Skandali me mbetjet toksike, Tomorri: Po tentohet të fshihet ngjarja! Xama:

Në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, është diskutuar për skandalin e mbetjeve të Kurum, të dyshuara si toksike. 

Gazetarët Ola Xama dhe Klodian Tomorri treguan se si nuk ka patur transparencë për ngjarjen dhe ka dyshime të forta se autoritetet janë përfshirë në trafikun e mbetjeve toksike. 

Ola Xama: Që këto mbetje dyshohet se janë të Kurum, e ka thënë Rrjeti i Aksionit të Bazel. Ka thënë edhe për mbetje të nisura nga Kosova. Mund të ketë të tjera, është për tu dyshuar. Sa kohë kemi industri të rëndë dhe nuk kemi të dhëna ku shkon hiri i prodhuar nga filtrat, na bën dyshues se janë të Kurum. Ministria e ka thënë se janë të Kurum pasi nuk do të mbajë përgjegjësinë e saj. Kur e di një sinjalizues i rëndomtë dhe e mësojmë nga një organizatë në SHBA, patjetër që ka dijeni nga autoritetet këtu. Kush e ka lejuar dhe pse duhet lejuar një kompani që investon shumë pak në teknologji, por edhe në përpunimin e pluhurave dhe ka norma marramendëse fitime? Pse tolerohet? Përse lejohet që kjo kompani të bëjë të gjithë tregun, politik dhe mediatik lëmsh që mos ti përmendet emri?

Klodian Tomorri: E kemi trajtuar gjerë e gjatë historinë e mbetjeve. Çfarë po ndodh tani që erdhën anijet? Ka sinjale dhe po tentohet që ngjarja të fshihet. Drejtuesi i Rrjetit të Bazelit, bëri letër dhe tregoi si bëhen analizat që të bëhen publike me palë të tretë të pavarur. Por, nga ato pika që tha ai, asnjëra nuk u mor parasysh. Tani këta e kanë marrë çështjen, ia kanë hedhur Prokurorisë së Durrësit. Çfarë besimi kanë qytetarët shqiptarë? Jemi potencialisht përballë një krimi shumë të rëndë, trafikimi i mbetjeve të rrezikshme është krim transnacional. Ne nga faktet publike kemi parë dhe e kemi të provuar se ka patur falsifikim faturash nga Kurum te Sokolaj. Janë shkruajtur sikur ishin oksid hekuri. Kemi dështim të të gjithë autoriteteve shtetërore, sepse të nisësh një anije dhe të bësh trafik, duhet të bien shumë institucione. Autoriteti Portual, dogana, policia kufitare dhe kështu me rradhë. Këto hallka nuk mund të bien nëse nuk ka një dorë të fuqishme lart që i detyron të bien. Ata që e bënë këtë histori po mundohet ta fshehin. Askush nuk merr vesh asgjë. Qytetarët duhet të dinë, a është përfshirë Shqipërië në trafik ndërkombëtar mbetjesh? Jo vetëm ato të Kurum, por a kanë kaluar mbetjet të tjera, sepse ato 20 mijë ton, nuk dalin gjëkundi në dokmenta. Nuk mund të bëhet ping pong kështu.