TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në një intervistë për emisionin ‘Kjo Javë’ në News24, mjeku epidemiolog Artan Simaku u shpreh se nuk ka arsye për panik lidhur me linë e majmunit, duke siguruar se situata është nën kontroll dhe sëmundja është e lehtë në shumicën e rasteve.
Sipas tij, rasti i parë në Shqipëri nuk është autokton, por ka ardhur nga Italia dhe është trajtuar në kushte shtëpie, pasi nuk kishte komplikacione. Personi i prekur është në fazën e negativizimit. Lija e majmunit është regjistruar më herët edhe në rajon: një rast në Kosovë dhe dy në Maqedoni. Simaku theksoi se ekziston vaksinë për kontaktet e ngushta, duke e bërë sëmundjen lehtësisht të kontrollueshme.
Shenjat dalluese të lisë së majmunit
Sëmundja nis me temperaturë, kollë dhe puçra, të cilat më pas zhvillohen në bulëza dhe plagë, kryesisht në duar, fytyrë dhe kokë. Mjeku theksoi se lija e majmunit mund të ngatërrohet me linë e dhenve, por nuk është shumë ngjitëse dhe përhapet vetëm përmes kontaktit të ngushtë, marrëdhënieve intime dhe përdorimit të sendeve të përbashkëta me një person të infektuar.
Situata e COVID-19 në vend
Simaku deklaroi se COVID-19 nuk është zhdukur, por është kthyer në një virus të zakonshëm, i ngjashëm me gripin. Qarkullimi i tij është më i lartë gjatë verës, ndërsa gripi është më aktiv në dimër. Megjithatë, situata epidemiologjike është e qetë, me një ulje të ndjeshme të rasteve gjatë korrikut dhe gushtit.
Dallimi mes gripit dhe COVID-19
Gripi zakonisht shoqërohet me temperaturë 37-38°C, rrufë dhe kollë, ndërsa COVID-19 jep temperatura më të lehta dhe dhimbje të lehta. Virusi mund të transmetohet përmes mungesës së higjienës, ushqimeve të palara apo ujit të ndotur. Fëmijët dhe të rinjtë mbeten grupet më të rrezikuara.
Në fund, Simaku theksoi se COVID-i është kaluar nga shumica e popullatës, por ende mund të shkaktojë shqetësime, të cilat ndonjëherë ngatërrohen edhe me efektet e vaksinës.