AKTUALITET, 14 Qershor 2025, 17:34

Përplasi 5 këmbësorë me “Audi”, 39-vjeçari arrestohet pas arratisjes nga vendi i ngjarjes. Me pantofla në këmbë, ja momenti kur çohet në Komisariat

Përplasi 5 këmbësorë me “Audi”,

Një 39-vjeçar është vënë në pranga nga policia në Tiranë pasi shkaktoi një aksident duke përplasur pesë këmbësorë. Ngjarja ndodhi në rrugën “Halit Haxhija”, ku drejtuesi i automjetit tip “Audi” kreu manovra të rrezikshme, humbi kontrollin dhe doli nga rruga.

Menjëherë pas aksidentit, ai braktisi automjetin dhe u largua nga vendi i ngjarjes, por u lokalizua dhe u arrestua pak më vonë nga efektivët e Komisariatit Nr. 5 në bashkëpunim me patrullat e qarkullimit rrugor. Shtetasi i arrestuar është identifikuar si Përparim Bilja, banues në Kamëz. Në video shihet momenti i shoqërimit të 39-vjeçarit në Komisariat. Gjatë shoqërimit shihet një lloj çalimi i tij, teksa mban veshur pantofla në këmbë. 

Pesë kalimtarët e përfshirë në aksident morën ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndaj 39-vjeçarit është vendosur edhe masa plotësuese “heqje e lejes së drejtimit”, ndërsa materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për procedura të mëtejshme.