AKTUALITET, 28 Shkurt 2023, 10:55

"Sistemi gjyqësor duhet të funksionojë pa ndërhyrje“/ Ambasadori i OSBE-së flet për gjyqin e 3 marsit dhe takimin me Berishën

"Sistemi gjyqësor duhet të funksionojë pa
Fotomontazh: Sali Berisha dhe Guido de Sanctis

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Guido de Sanctis, ndryshe nga disa ambasadorë perëndimorë në Tiranë që  kanë shmangur kontaktet me kreun e PD-së, Berisha, pasi u shpall "non grata" nga SHBA dhe Britania e Madhe, ka treguar se ka zhvilluar takime me të gjithë përfaqësuesit e opozitës, përfshirë edhe ish-kryeministrin. Ai bëri thirrje për mosndërhyrje n♪7 procesin gjyqësor të 3 marsit për vulën e PD-së.

Gjatë një interviste në emisionin “Pa Censurë” në RTSH, ambasadori ka përcjellë dhe një mesazh për opozitën të cilët sipas tij duhet të gjejnë një mënyrë për të shkuar përtej ndarjes aktuale. Gjithashtu ai ka theksuar se gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri ka vënë re se nuk ka terren për krijimin e një krize të brendshme apo madhore.

“Unë jam prej tre muajsh në Shqipëri dhe nuk vërej kushtet për atë që ju e quani destabilizim, apo të themi, ndonjë krizë madhore”, tha ai, ndërkohë më tej shprehu besim të plotë te aftësia e KQZ-së për të organizuar zgjedhje në përputhje me Kodin Zgjedhor.

Pjesë nga intervista:

Meqenëse jemi tek opozita, më lejoni t’ju pyes, cila është marrëdhënia që ju keni ndërtuar, ju personalisht, me opozitën? Komunikoni me të dyja pjesët e opozitës?

Unë kam komunikim me të gjithë përfaqësuesit e opozitës dhe, meqë ra fjala, më lejoni të them që kam komunikim me të gjithë përfaqësuesit, në përgjithësi, të të gjithë spektrit politik në Shqipëri. Për t’iu kthyer pyetjes suaj, po, jam takuar me përfaqësuesit e të gjitha këtyre, t’i quajmë kështu, të të gjitha fraksioneve të palës opozitare. Kam marrë informacione tejet interesante, po ashtu kam përçuar edhe mesazhin që sapo jua thashë, që një marrëveshje do të ishte zgjidhja më e mirë. Por e kuptoj që ka një procedurë gjyqësore, prandaj askush, as qeveria, as Prezenca e OSBE-së, nuk mund të ndërhyjë në procedurat gjyqësore. Është ajo që kemi mësuar në shkollë, që pushteti gjyqësor është i pavarur dhe është elementi më i rëndësishëm i zbatimit të ligjit, në cilindo vend demokratik. Pra, gjyqi do të vazhdojë dhe unë nuk komentoj mbi atë që mund të ndodhë, por ndihem i detyruar të dërgoj mesazhin e gjetjes së marrëveshjes, veçanërisht kur takoj njerëz të të gjithë fraksioneve të opozitës.

Kur ju u kërkoni që opozita të bashkëpunojë, të gjejë një marrëveshje, si ju përgjigjen ata, nëse mund të na e thoni?

Tani po gërmoni në biseda private, por mund t’ju them që askush nuk përgjigjet, apo ta them kështu, të gjithë pajtohen që një marrëveshje është zgjidhje më e mirë sesa një vendim i imponuar nga gjykata apo nga lart. Në teori, të gjithë pajtohen me këtë, po.

Por?

Por, ju jeni gazetarja, ju duhet ta ndiqni çfarë ndodh. Unë e ndjek, u referohem edhe mediave për të kuptuar se çfarë ndodh, mediave dhe bisedave private. Pra, më tregoni ju se çfarë ndodh.

Ambasador, a përbën shqetësim për OSBE-në fakti që KQZ-ja ende nuk ka regjistruar komisionerët e Partisë Demokratike, meqenëse afati ka nisur, dhe nuk ka shpërndarë ende fondet, për Partinë Demokratike dhe për partitë tjera, për shkak të Partisë Demokratike?

Siç jua thashë, një prej institucioneve me të cilat bashkëpunojmë shumë fort, dhe mund të them që ka vlerësim të ndërsjellë tejet të lartë midis nesh, pra Prezencës së OSBE-së dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Jam takuar me Komisionerin dhe përshtypja ime për Komisionerin dhe stafin e tij është që me siguri ata janë në gjendje të gjejnë një zgjidhje për cilindo problem. Ne kemi besim te puna e tyre.

Më datën 3 mars, siç e përmendët pak më parë, do të merret një vendim nga gjykata për çështjen e ndasive, mosmarrëveshjeve në Partinë Demokratike. Por, nëse mungon ky vendim final, a do të ishte problem kjo për zgjedhjet në Shqipëri?

Siç e thashë më parë, sistemi gjyqësor duhet të funksionojë pa ndërhyrje. Nga ana jonë, sigurisht që nuk ndërhyjmë, prandaj nuk spekulojmë për atë që mund të ndodhë, cili vendim mund të merret apo të mos merret. Siç jua thashë, institucionet që duhet të vendosin, cilido të jetë rezultati më 3 mars, kanë aftësinë, kanë kompetencën, kanë mençurinë, që të vendosin se cila do të jetë zgjidhja më e mirë për Shqipërinë.

Ndërkohë, Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Berisha dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Demokratike kanë deklaruar, herë pas herë, se nëse zgjedhjet më 14 maj nuk do të jenë sipas standardeve më të larta demokratike, në Shqipëri do të ketë destabilizim. A jeni të përgatitur ju për këtë skenar?

Personalisht, kam qenë dëshmitar i skenarëve tejet problematikë kur punoja në Libi, më 2011, dhe filloi revolucioni. U krijuan disa kushte dhe diçka ndodhi. Si sot një vit më parë, siç e dimë të gjithë, filloi lufta në Ukrainë. Unë isha në Moskë në atë kohë, saktësisht një vit më parë. Pra, kushtet e krizës janë të lexueshme, mund t’i vëresh përreth teje. Unë jam prej tre muajsh në Shqipëri dhe nuk vërej kushtet për atë që ju e quani destabilizim, apo të themi, ndonjë krizë madhore. Personalisht, nuk i shoh. Siç e thashë më parë gjatë intervistës, është një gjë të jesh i qartë, i drejtpërdrejtë e i sinqertë kur je parti dhe flet për partinë tjetër, dhe është gjë tjetër, në demokraci, të shprehësh kërcënime. Është diçka që nuk është pjesë e rregullave demokratike. Askush, dhe nuk po i referohem dikujt posaçërisht, askush nuk duhet të përdorë kërcënime.

Pra, ju mendoni që nuk ka vend për destabilizim dhe këto janë vetëm kërcënime, në një gjuhë tjetër që mund t’i quajmë, blof, nga ana e z. Berisha?

Nuk kam gjykim për këtë. Ju fola për përvojën time të kufizuar prej zyrtari ndërkombëtar të dërguar jashtë shtetit, kur e kam gjetur veten në situata krize. Mendoj se përgatitja e një krize është diçka që mund ta nuhasësh në ajër. Jam i sigurt që Shqipëria, dhe përgjithësisht kjo është përshtypja ime për Shqipërinë, që është vend i zgjuar, që ka arritur të dalë në mënyrë paqësore nga një periudhë e tmerrshme. Fundjavën e kaluar isha në Shkodër dhe vizituam vende ku ishin burgosur njerëzit më parë. Ishte një detaj, por me të vërtetë më bëri shumë përshtypje. Pra, njerëzit që janë kaq të zgjuar e të guximshëm nuk mund t’i lënë gjërat të shkojnë përtej pikës ku nuk kontrollohen më. Jam i sigurt që pjekuria do të triumfojë.