AKTUALITET, 28 Shkurt 2023, 12:00

Rritja e çmimit të patentës krijon radhë dhe në Vlorë, qytetarët: Po humbim ditën e punës për të marrë dokumentet e nevojshme

Rritja e çmimit të patentës krijon radhë dhe në

Qytetarët në Vlorë kanë nxituar të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për të nisur procedurat për patentën. Pas vendimit për të dyfishuar çmimin e patentës, qytetarët kanë krijuar radhë në të gjitha institucionet ku merren këto shërbime.

Në një prononcim për Euronews, ata ankohen se kanë humbur ditën e punës sepse duan të përfitojnë para se të dyfishohet çmimi.

“Ika erdha ika, jam në punë, kam lënë ditën pushim sot, vij këtu humbas ditën, duhet të vij prapë nesër,”- u shpreh një qytetar.

“Do të marri vajza patentën, është në Tiranë, nuk të zgjidh njeri. Vemi atje na thonë do të vish këtu, kjo thotë nuk ke prenotuar, unë i kam marrë të gjitha në rregull,”- tha një grua.

Lajmi për dyfishimin e çmimit të patentave ka marrë shumë vëmendje në publik që nga dalja e tij.

Nga 10 marsi, për të marrë një leje drejtimi të kategorisë B qytetarët këtë vit do të duhet të paguajnë minimum nga 85 mijë Lekë.

Ky dyfishim i çmimit vjen pas një marrëveshjeje të nënshkruar nga DPSHTRR, DPT dhe shoqata e autoshkollave, që kanë dakordësuar çmimet minimale të unifikuara për orët teorike dhe praktike.

Nga marsi, një seancë mësimore në praktikë në autoshkolla do të kushtojë minimumi 500 Lekë, ndërsa një seancë praktike 935 Lekë.