AKTUALITET, 28 Shkurt 2023, 11:24

Projektvendimi, si do të përcaktohen dënimet administrative gjatë inspektimeve

Projektvendimi, si do të përcaktohen dënimet administrative

Dënimet administrative që inspektorët e institucioneve qendrore apo vendore aplikojnë në rastet kur konstatojnë shkelje nga subjektet do të bëhen në bazë të një rregulloreje e cila qartëson rast pas rasti gjithë elementët.

Këto rregullore që miratohen nga ministri përgjegjës do të ndjekin parimet që përcaktohen në një projektvendim të përgjithshëm të rregullores së metodologjisë së përcaktimit të dënimeve administrative në procesin e inspektimit që tashmë është nxjerrë për konsultim nga Inspektorati Qendror.

Në relacionin që shoqëron dokumentin thuhet se y projektvendim ka si qëllim të përcaktojë masën e dënimit administrativ gjatë procesit të inspektimit, për shkelje të kërkesave ligjore, për të cilat janë të përcaktuara në ligjet sektoriale, në intervale, në rastet kur përshkallëzimi i dënimit administrativ nuk është i mirë përcaktuar, si dhe në ato raste kur shoqërimi i dënimit kryesor me dënime plotësuese nuk është i mirë përcaktuar.

“Projektvendimi synon të përcaktojë rregullat e përgjithshme bazë mbi metodologjinë e përcaktimit të dënimeve administrative, në përputhje me parimin e proporcionalitetit, gjatë procesit të inspektimit, për mbrojtjen e të drejtave të subjekteve që inspektohen, në mënyrë që dënimi administrativ të jetë përgjithësisht i njëjtë e të sigurojë trajtim të drejtë dhe të barabartë për subjektet e inspektimit dhe njëkohësisht të shmangë rreziqet që mund t’u shkaktohen interesit publik dhe interesave të ligjshëm të personave fizikë dhe juridikë të parashikuara me ligj”, thuhet në dokument.

Projektvendimi jep klasifikimin e dënimeve në administrativ kryesor dhe administrativ plotësues. Nisur nga ndarjet e mësipërme, inspektoratet do të identifikojnë dënimet administrative që ata vendosin gjatë veprimtarisë së inspektimit, të parashikuara nga ligjet e tyre sektoriale.

“Inspektoratet parashikojnë rastet për çdo lloj të dënimit administrativ, sipas ligjit të tyre të posaçëm. Pra, çdo inspektorat shtetëror/vendor harton rregulloren e metodologjisë së përcaktimit të dënimeve, në fushën e tij të inspektimit.

Rregullorja miratohet nga ministri përgjegjës për inspektoratet shtetërore dhe organi ekzekutiv i njësisë vendore për inspektoratet vendore. Për dënimin administrativ kryesor “paralajmërim”, sipas ligjit për inspektimin, merret kur inspektori konstaton shkelje të kërkesave ligjore, që përbën kundërvajtje administrative, por që është e një rëndësie të vogël, apo për të cilën ligji i posaçëm nuk parashikon dënimin përkatës administrativ”, thuhet në relacion.

Dokumenti argumenton se efektet e pritshme nga miratimi i këtij projektvendimi lidhen me “vendosjen e një barazie dhe transparence në marrjen e vendimit përfundimtar nga inspektorët shtetërorë dhe vendorë, të cilët kanë detyrimin për zbatim sipas pikës 8 të nenit 48, të ligjit nr. 10433/2011.

Kjo synon një trajtim të njëjtë dhe të barabartë për subjektet e inspektimit, çka do të sjellë për rrjedhojë edhe përmirësimin e performancës së inspektorëve”./Monitor.al