AKTUALITET, 3 Prill 2022, 15:53

Reshjet e dëborës, bllokohen katër fshatra në Skrapar

Reshjet e dëborës, bllokohen katër fshatra në Skrapar

Ulja e ndjeshme e temperaturave ka sjellë edhe reshjet e pandërprera të dëborës në të gjithë rrethin e Skraparit.

E filluara që prej natës së djeshme dëbora ka mbuluar gjithçka në çdo fshat dhe zonë malore, ndërkohë që trashësia e saj ka arritur deri në 20-25 cm. Reshjet e pandërprera të dëborës, që filluan mbrëmjen e djeshme dhe që vijojnë të bien ende, kanë bllokuar disa fshatra malore në rrethin e Skraparit.

Edhe pse raportohet se të gjitha akset nacionale të qarkut të Beratit janë të hapura dhe me qarkullim të pandërprerë, katër fshatra rreth malit të Tomorrit janë të izoluar nga dëbora, ndërkohë që nën pushtetin e dëborës gjashtë fshatra të tjerë, ku kalohet ne zinxhirë.

Fshatrat: Gjerbës, Dëvri dhe Backë janë të izoluar nga dëbora, ndërkohë që fshatrat: Leshnje, Potom, Tomorr, Qafë Dëvri, Zaloshnje dhe Zhepë janë nën pushtetin e dëborës dhe të kalueshme vetëm me zinxhirë. Burime nga OSHEE-ja Berat raportojnë se nuk ka mungesë të energjisë elektrike në asnjë fshat të qarkut të Beratit. Në disa akse raportohet prezencë ngricash në rrugë, ku më problematik është aski Bogovë-Skrapar, ku duhet të tregohet kujdes në qarkullim.