AKTUALITET, 11 Shtator 2025, 12:42

KABINETI I PLOTË/ Rama konfirmon Ballukun si të besuarën e tij, largon Ulsi Manjën! Ja ndarja e posteve në kabinetin e ri

KABINETI I PLOTË/ Rama konfirmon Ballukun si të besuarën e tij,

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, Edi Rama ka zbuluar emrat e kabinetit të ri qeverisës, "Rama 4".  

ZV.KRYEMINISTRI DHE MINISTRI I ENERGJISË DHE INFRASTRUKTURËS

Kryeministri ka konfirmuar numrin dy të qeverisë, Belinda Balluku, si zëvendëskryeministre dhe gjithashtu si ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës. Edhe pse ka patur mjaft spekulime për rolin që mund të kishte Balluku në kabinetin e ri, është e qartë se Rama e sheh si shtyllë kryesore të qeverisë së tij, duke e rikonfirmuar në të njëjtat detyra. 

"Zëvendëskryeministër do të jetë, Belinda Balluku, kontributi i së cilës ka folur vetë më mirë se çdo fjalë. Ajo do të drejtojë Infrastrukturën dhe Energjinë, e cila nuk do të ndryshojë si ministri, sepse ka fituar një qëndrueshmëri që vetëm mund të forcohet. Tipari i pakënaqësisë kronike të ministres ndaj punëve që drejton vetë, është e dhënë premtuese që do të ecim më shpejtë", deklaroi Rama. 

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME 

Rama ka njoftuar largimin e Ervin Hoxhës nga posti i ministrit të brendshëm, duke e zëvendësuar me Albana Koçiun, e cila do të jetë gruaja e parë në këtë detyrë. 

"Në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, Albana Koçiu, e cila ka një karrierë tanimë të gjatë në administratë. Ka filluar nga shkalla më e ulët, e njeh si pakkush administratën publike. Në drejtësimin e Shëndetësisë, më ka krijuar bindjen se ka ambicien dhe kapacitetin motivues të njerëzve. Ervin Hoxha dhe Igli Hasani, që do t'i besoj komisionin e ri parlamentar për Europën dhe Punët e Jashtme, për kohën që patëm në dispozicion, kanë vijuar të mbajnë timonin drejt, por në krye të atyre dy prej ministrive më të prapambetura, duhet tërmet.

MINISTRIA E JASHTME 

Elisa Spiropali do të jetë Ministre e Jashtme e Shqipërisë. Rama tha se në këtë ministri duhet të ketë tërmet dhe shtoi me batutë se duhet një njeri "që nuk i pushon goja". Deri sot Spiropali ka mbajtur postin e kryetares së Kuvendit, të cilën tashmë to t'ja lërë Niko Peleshit. 

MINISTRIA E FINANCAVE 

Petrit Malaj konfirmohet në detyrë si Ministër i Financave. 

MINISTRIA E KULTURËS, TURIZMIT DHE SPORTIT 

Blendi Gonxhja do të vijojë të jetë Ministër i Kulturës, por kësaj ministrie i bashkohet ministria e Turizmit dhe Sportit, duke i hequr Ekonominë. 

MINISTRIA E MJEDISIT 

Sofian Jaupaj, do të jetë Ministër i Mjedisit.

"Është negociatori i Shqipërisë për kapitullin e rëndë që lidhet me mjedisin. Ai është një ndër njohësit më të mirë të anës teknike dhe ligjore të mjedisit, por është edhe një ndër shqiptarët më të apasionuar pas mjedisit", tha Rama. 

MINISTRIA E ARSIMIT 

Mirela Kumbaro do të jetë Ministre e Arsimit, duke pasuar Ogerta Manastirliun, e cila do të jetë kandidate e PS për kryebashkiake të Tiranës.  

"Puna, përkushtimi i saj, kanë folur në të gjithë këto vite", tha Rama për Kumbaron. 

MINISTRIA E SHËNDETËSISË

Evis Sala, të cilën Rama e prezantoi si një person me karrierë të spikatur jashtë vendit, do të jetë ministre e Shëndetësisë, duke pasuar në këtë detyrë Albana Koçiun. 

MINISTRIA E EKONOMISË DHE INOVACIONIT 

Delina Ibrahimaj do të jetë ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit. 

MINISTRIA E DREJTËSISË

Besfor Lamallari do të zëvendësojë Ulsi Manjën si ministër Drejtësie. Manja do të jetë tashmë kryetar i komisionit të drejtësisë. 

MINISTRIA E MBROJTJES

Pirro Vengu konfirmohet si ministër i Mbrojtjes.

"Mbrojtja do të krijojë vende pune të mirëpaguara, hapësira të reja për inovacion, që nga dronët dhe deri te makinat ushtarake. Jo vetëm për nevojat e forcave tona apo trupave të tjera, por edhe për eksport – Shqipëria do të mikpresë Samitin e Natos, ku do të zbarkojnë të gjithë liderët e aleancës. Vetëm brenda rrethit ku zhvillohet Samiti mblidhen rreth 5 mijë vetë", tha ndër të tjera Rama, kur po shpjegonte rëndësinë e kësaj ministrie në vitet e ardhshme. 

MINISTRIA E BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Andis Salla do të jetë ministri i ri. Deri tani ka mbajtur detyrën e kryebashkiakut të Cërrikut. Salla do të zëvendësojë në këtë detyrë, Anila Denajn. 

MINISTËR I SHTETIT PËR PUSHTETIN VENDOR 

Ervin Demo do të jetë ministri i ri, duke zëvendësuar Arbjan Maznikun, i cili pritet të marrë frenat e komisionit për reformën territoriale. 

MINISTRI PËR MARRËDHËNIET ME PARLAMENTIN 

Toni Gogu do të jetë Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin. 

MINISTRE E SHTETIT DHE KRYENEGOCIATORJA E SHQIPËRISË

Majlinda Dhuka konfirmohet në këtë detyrë. 

MINISTRE E SHTETIT PËR ANTI-KORRUPSIONIN 

Adea Pirdeni konfirmohet në këtë detyrë. 

ANËTARE KABINETI ME INTELIGJENCË ARTIFICIALE! 

Diella - Anëtarja e parë jo fizikisht e pranishme, e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, në proceset qeverisëse, një mandat për të krijuar ritmin e proceseve të qeverisjes. Diella, shërbyesja e prokurorimeve publike!