AKTUALITET, 21 Tetor 2022, 00:06

Rama dhe grupi Alibeaj bashkojnë votat në Parlament

Rama dhe grupi Alibeaj bashkojnë votat në Parlament

Rama dhe grupi i Alibeajt bashkojnë sërish votat. Kuvendi ka miratuar me 97 vota pro ndryshimet në ligjin për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Ra në sy që nuk pati asnjë votë kundër dhe vetëm 1 absentim.

Pro nismës votuan deputetët e PS-së dhe grupi i deputetëve të PD-së që drejtohen nga Enkelejd Alibeaj. Përpara votimit që u zhvillua pak para mesnatës ishte i pranishëm edhe ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Drafti i PS-së parashikon t’i japë të drejtë Autoritetit të Dosjeve që të rishikojë dhënien e certifikatës nëse dalin prova të reja. Në rast se një zyrtar i lartë rezulton bashkëpunëtor i Sigurimit të shtetit ai largohet nga detyra.

Pjesë e nismës së PS-së u bënë edhe disa propozime të Enkeleejd Alibeajt të dakordësuara më herët me Taulant Ballën. PD kërkonte që të ketë më shumë lehtësi për marrjen e informacionit.

“Çdo person  gëzon të drejtën  të njihet me dokumentet e ish sigurimit të shtetit dhe të kërkoj  një kopje të tyre, në përputhje me ligjin  për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi  të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve.

Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i  nevojshëm për gjejtjen dhe vënien në dispozicion të informacionit  është në përpjestim të drejtë me interesin  e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni, Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorimin e informacionit të marrë” – thuhet në amendamentin e PD.