AKTUALITET, 20 Tetor 2022, 21:14

"Rilindja" në ofensivë, edhe Ministria e Brendshme reagon kundër Agron Shehajt

"Rilindja" në ofensivë, edhe Ministria e Brendshme reagon

Qeveria duket se ka kaluar në ofensivë kundër deputetit të PD, Agron Shehaj. Pas Edi Ramës ka ardhur një reagim edhe nga Ministria e Brendshme, institucion që ka përsëritur atë cfarë thotë Rama, se objekti ku është biznesi i Shehajt ka 55% të sipërfaqes pa leje.

Mësymja e Policisë së Shtetit te biznesi i Shehajt erdhi pasi ai denoncoi aferën e ministres Olta Xhacka, bashkëshorti i së cilës është shpallur “investitor strategjik” nga qeveria duke përfituar favore në bregdetin e jugut.

Deklarata e plotë e Ministrisë së Brendshme.

Me një sqarim të detyruar, por jo të dëshiruar, Ministria e Brendshme u përgjigjet akuzave të deputetit Agron Shehaj, që vijnë nga salla ku presupozohet se ai ka shkuar për të diskutuar e marrë vendime të rëndësishme për ata që e kanë votuar. Ai sot është përpjekur të sulmojë institucionet ligjzbatuese dhe të ‘mbrojë’, paligjshmërinë e tij.

Fotoja që publikoi deputeti Shehaj është dëshmi e saktë, e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe IKMT në krye të detyrës, për bllokimin e një ndërtese subjekt i ligjit për penalizimin e ndërtimeve pa leje me qëllim fitimi.

Eshtë pikërisht ky objekt me mbi 55% shtesë kati, ose thënë ndryshe 560 m2 pa leje, ku kompania e deputetit Shehaj ka vendosur aktivitetin. E megjithë paligjshmërinë në flagrancë, nga shkelësi artikulohet me lehtësinë më të madhe, akuza për mbyllje biznesi të ndershëm.