AKTUALITET, 20 Tetor 2022, 21:33

"Policisë i ka mbetur në dorë!"/ Avokati shpjegon shkeljet në shoqërimin e Lear Kurtit dhe dyshimet për manipulim të ngjarjes

"Policisë i ka mbetur në dorë!"/ Avokati shpjegon
Dorian Matlija dhe Lear Kurti

Avokati Dorian Matlija, ka folur për vdekjen tragjike të 32 vjeçarit, Lear Kurti, i cili ndërroi jetë në komisariatin e policisë, pasi ishte shoqëruar për verifikim. 

Avokati shpjegoi në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, shkeljet e policisë në ndalimin dhe shoqërimin e të riut dhe foli për dyshime serioze se ngjarja mund të jetë manipuluar. 

Matlija tha gjithashtu se policia abuzon shpesh me shoqërimet për verifikim dhe se kjo praktikë duhet të marrë fund. 

Dorian Matlija: Ajo që po shoh deri tani, sigurisht policisë i ka mbetur në dorë. Është praktikë ndërkombëtare, që kur policia e ka personin të izoluar mban të gjithë përgjegjësinë dhe prezumohet se ka rol dhe duhet hetuar.  Unë shoh një problem shumë të madh.
Nuk është thirrur urgjenca, por është cuar në spital me mjetet e policisë, kjo nuk është e lejueshme. Kjo ngre dyshime që personi ka qenë i vdekur dhe policia ka dashur ta regjistrojë vdekjen diku tjetër.
Ndryshe do të kishin pritur urgjencën. Ky veprim është jashtë protokolleve.
E shoh shumë problematike që policia del me deklarata shumë herët, për të krijuar ide alternative në publik. Më ngjan me rastin e Klodian Rashkës, që thanë u gjet pistoletë. Apo rastin e Ziver Veizit, ku u tha janë gjetur ashkla.
Këto deklarata nuk duhet të bëhen. Nuk mund të thuhet u gjet qese, por duhet pritur rezultati i analizave, sepse mund të jetë edhe kanabis, që nuk shkakton vdekje, Analizat kërkojnë kohë dhe vetëm pasi janë çertifikuar..
Këtu po hetohet policia dhe jo një keqbërës i zakonshëm. Policia nuk mund të ketë rol në hetim, përvecse të jetë i hetuari në këtë rast.
Në këto momente duhet të merreshin policët në pyetje, të shiheshin kamerat dhe jo të dilte policia me deklarata të tilla.

Ylli Rakipi: A ka të drejtë policia të ndalojë një person pse po qëndron para një biznesi?

Dorian Matlija: Janë dy rrethana kur mund të ndalohet një person. Kur dyshohet mbi kryerjen e një vepre penale, por duhet dyshim i arsyeshëm. Ka edhe një rrethanë tjetër, që është arsyeja për të verifikuar identitetit. Një person mund të merret me vete për tu identifikuar. Kjo është tepër e shpeshtë për policinë dhe të mbajnë edhe 10 orë vetëm për verifikim. Ky është problem shumë i madh sepse shumë njerëz ndalohen për këtë. Ky është abuzim shumë i madh që duhet të marrë fund.
Ai nuk është ndaluar sepse ka qenë para një biznesi. Është marrë për verifikim dhe është bërë në mënyrë abuzive.