AKTUALITET, 15 Prill 2025, 13:36

"Qytetarëve do t'u kthehet çdo para"/ E paditur në SPAK për shpifje, Vokshi: Kemi përgatitur kallëzime të reja për Vilma Nushin, Ramën e Beqajn

"Qytetarëve do t'u kthehet çdo para"/ E paditur

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka dhënë një prononcim për mediat pas përfundimit të seancës së radhës, e paditur në SPAK nga biznesmenia Vilma Nushi për shpifje lidhur me dosjen e “Sterilizimit”.

Vokshi është shprehur se janë përgatitur të tjera kallëzime penale për Vilma Nushin, Ogerta Manastirliun, Ramën si dhe ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqajn, të cilët sipas Vokshit kanë shkelur ligjin dhe kanë vjedhur paratë e shqiptarëve nëpërmjet koncesioneve fiktive.

Albana Vokshi: "U la seanca e radhës për në datë 24, në orën 9. Sot që flasim, a e dini ju që afati, periudha e koncesionit te check up ka përfunduar në mes të janarit dhe Vilma Nushi vazhdon e paguhet për një koncesion që nuk ka amendim kontrate. Kemi përgatitur kallëzim tjetër dhe për Vilmën dhe Ogerta Manastirliun, Edi Ramën dhe Ilir Beqajn e këdo që ka shkelur ligjin. Në 11 maj kjo merr fund, marrin fund këto koncesione abuzive dhe korruptive. Çdo para e shpërdoruar nga këta njerëz do të duhet dhe do t’i kthehet qytetarëve shqiptarë".

Kujtojmë që Vokshi, e cila ka qenë dhe kryetare e Komisionit Hetimor Parlamentar të Shëndetësisë për dosjen e “Sterilizimit” është paditur për shpifje nga biznesmenia Vilma Nushi dhe shoqëria “3P Life Logistic”.

Deputetja e PD-së u padit në cilësinë e kryetares së komisionit hetimor për koncesionet në shëndetësi nga shoqëria “3P Life Logistic” e Vilma Nushit, pas akuzave se kompanitë e saj kishin fituar qindra miliona euro përfshirë atë të Check Up që po hetohet nga SPAK.

Konçesionari pohon se, për një periudhë 10-vjeçare, vlera e projektit ka qenë 63 milionë euro në total, dhe jo 130 milionë euro, siç ka akuzuar Vokshi.