AKTUALITET, 15 Prill 2025, 13:12

“Toyota Yaris”/ Përgjimet e SKY ECC, SPAK jep pretencën për Zarkën: 4 vite burg për ish-kryeprokurorin e Vlorës! GJKKO i pranon gjykimin e shkurtuar

“Toyota Yaris”/ Përgjimet e SKY ECC, SPAK jep pretencën

Prokuroria e Posaçme jep pretencën për ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, në lidhje me përgjimet e dosjes “Toyota Yaris” dhe lidhjet me elementë kriminale duke ndërhyrë në çështjet e tyre penale.

SPAK kerkon 4 vite burg, duke llogaritur edhe gjykimin e shkurtuar, duke e zbritur me një të tretën dhe përfundimisht me 3 vite izolim.

GJKKO ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar të bërë nga Zarka dhe avokati i tij.

Gjykata caktoi seancën e radhës në datën 5 maj, ora 09:00, kur do bëhet mbrojtja e të pandehurit dhe më pas shpallja e vendimit.

Ndërkohë, GJKKO ka ndarë veç dosjen për tre personat e tjerë, mes të cilëve ish-oficerja e BKH-së, Erjona Daupaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi për shkak se nuk janë arrestuar ende nga policia dhe vijojnë të jenë në kërkim.

Ndërkohë është pezulluar gjykimi ndaj 3 të pandehurve për një periudhë kohore 1 vit, për shkak se nuk u bë i mundur njoftimi personalisht i këtyre të pandehurve për tu paraqitur në seancë paraprake.

Sipas prokurorisë të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet për të ndikuar tek gjyqtarë e prokurorë që hetonin dhe gjykonin dosjen e 3.4 milion eurove që u bllokua në Portin e Durrësit, me qëllim që të favorizoheshin të pandehurit.

SPAK i akuzon po ashtu edhe për favorizim të Suel Çelës për t’i çliruar pasuritë e sekuestruara në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit.

Hetimi nisi mbi bazën e të dhënave të Sky Ecc që SPAK iu vunë në dispozicion nga autoritetet franceze, ku mes të pandehurve u zbuluan  komunikime për çështjet.