TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në GJKKO mbahet seanca e radhës paraprake për aferën Partizani. Pas 6 muajsh dhe taktikash zvarritjeje, në GJKKO pritet sot në orën 14:00 një vendim nëse dosja do kalojë për gjykim ose jo, me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerët. Ndërkohë, po sot në Gjykatën e Lartë shqyrtohet edhe rekursi i Sali Berishës për masën detyrim paraqitjeje.
Kalimi i dosjes për gjykim, do të ishte përballja e parë reale e Berishës dhe dhëndrit me drejtësinë. Procesi vjen në këtë pikë pas gati 4 vite e gjysmë nga nisja e hetimeve dhe pasi Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë u morën të pandehur, ndërsa seanca e parë paraprake u zhvillua që më 24 tetor 2024. Kalimin në gjyq e vonuan kërkesa pa fund të avokatëve mbrojtës të palëve, që morën dhe kohë për t’u njohur me materialet.
Berisha dhe Malltezi vijojnë të jenë në masë sigurie, i pari “detyrim paraqitje” dhe i dyti “arrest shtëpie”, ndërsa kalimi në gjyq do të ishte përballja e parë e vërtetë e të dyve me sistemin e drejtësisë.
Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan', si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.
Paralelisht SPAK ka vënë në sekuestro preventive pasuri të shumta që i përkasin Jamarbër dhe Argita Malltezit, sekuestro e konfirmuar deri në Gjykatë Kushtetuese, ku përfshihen dhjetëra apartamente, vila, troje dhe llogari bankare, të cilat do të qëndrojnë të sekuestruara deri në përfundim të gjykimit.
Ndërkohë një tjetër hetim vazhdon me fraksion të kësaj dosjeje për pasurinë e ish-kryeministrit dhe verifikime nëse familjarët e tij kanë përfituar nga vendimet e tij si me rastin marrjes së truallit të Kompleksit Partizani dhe ndërtimin e 19 kullave nga dhëndri i tij.
Dosja 'Partizani', të pandehurit:
-Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
-Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal
-Fatmir Bektashi - Ndërtuesi akuzohet “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe 'pastrim parash'
-Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan' akuzohet për 'Pastrim Parash'
-Andia Pustina - Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k - Akuzohet për 'Pastrim Parash'