AKTUALITET, 15 Prill 2025, 12:43

Kriza/ Dështon seanca konstituive në Kosovë, nuk betohen deputetët! Dehari: Do t’i drejtohemi presidentes Osmani se si të veprojmë

Kriza/ Dështon seanca konstituive në Kosovë, nuk betohen

Ka dështuar seanca parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, njoftoi për ndërprerjen e seancës konstituive, duke thënë se nuk ka shumicë për vijimësinë e tij.

Dehari tha se do t’i drejtohen me një letër presidentes Vjosa Osmani për mënyrën se si do të veprojnë në vijim.

“Detyrohemi të ndërpresim seancën dhe me letër t’i kërkojmë presidentes se si të veprojmë në të ardhmen”, u shpreh ai.

Në seancën konstituive, ishte kuorumi për të vijuar. PDK, LDK dhe AAK votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Votimi rezultoi: 52 pro, 46 kundër dhe 11 abstenim.

“Pesëdhjetë e dy deputetë kanë votuar për, 46 kundër dhe 11 kanë abstenuar. Në bazë të kësaj, konstatojmë se raporti i Komisionit të përkohshëm nuk kalon”, tha kryesuesi i seancës.

Për votoi VV dhe Nisma, kundër ishin LDK, PDK dhe AAK, ndërsa Lista Serbe abstenoi.

Kryesuesi i seancës ftoi përfaqësuesit e subjekteve politike që të konsultohen, duke bërë që Kuvendi sërish të shkojë në pauzë.