AKTUALITET, 4 Shtator 2023, 16:53

Punë ka, por mungojnë specialistët! Edhe administrata shtetërore në ‘hall’ për burime njerëzore

Punë ka, por mungojnë specialistët! Edhe administrata

Duket se edhe administrata publike po vuan për punëtorë të aftë. Mungesa e ekspertëve dhe specialistëve evidentohet në një nga raportet e fundit të Ministrisë së Financave. Mungesa e ekspertëve dhe specialistëve po vë në vështirësi administratën publike. Me këtë shqetësim përballet Ministria e Financave, teksa bën planifikimin e strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike.

Në raport ajo, vlerëson se mungesa e burimeve njerëzore është bërë pengesë për arritjet në pikat kyçe politikës fiskale. “Për sa u përket rregullave fiskale, sfida kryesore lidhet me trajnimin e stafit të sektorit për analiza dhe statistika. Për të kapërcyer këtë problem, po planifikohet të ndjekin trajnimet për ta zbutur këtë risk. Këto dy vite,  janë hapur procedurat e rekrutimit”, thuhet në raport.

Mungesa e stafit dhe ekspertëve është shqetësim madhor pothuajse në të gjitha funksionet. Këtë vakum e kanë hasur vitin e kaluar, institucione si Kadastra dhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë.  Edhe për zgjerimin e përdorimit të sistemit online të thesarit gjatë vitit 2022 u shfaqën rreziqe të brendshme që lidheshin me mungesën e specialistëve në sektorin IT.