AKTUALITET, 4 Shtator 2023, 15:24

E vrau motra/ Pikëpyetjet e krimit në familje, viktima u kthye e dehur në banesë. Eksperti i sigurisë: Konflikti ka pasur shtrirje kohore

E vrau motra/ Pikëpyetjet e krimit në familje, viktima u kthye e dehur

Zbardhen të tjera detaje rreth vrasjes së 37-vjeçares Amanda Pushani në Tiranë, ngjarje që tronditi kryeqytetin në fundjavë, për shkak se si autore u arrestua motra e saj 40-vjeçare, një mësuese gjuhe dhe person pa precedentë penalë. Mësohet se konfliktit mes motrave Amanda dhe Marsela, të cilat jetonin vetëm me nënën e tyre, ka qenë i hershëm.

Ndërkohë për ekspertin e sigurisë Fatjon Softa, krimi ka shumë pikëpyetje. Ai tha se ka pasur shtrirje kohore që është kthyer në problem shqetësuese. Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën rreth orës 9 të mëngjesit në banesën ku 37-vjeçarja jetonte me nënën dhe motrën, por u raportua vetëm të dielën, fillimisht si vdekje natyrale.

“Ka pasur një konflikt verbal me motrën. Viktima ka pasur me vete dhe pije alkoolike, teksa sipas motrës dhe nënës ka qenë e alkoolizuar prej 10 vitesh. Kjo ngjarje është raportuar 24 orë më pas nga policia, pasi ditën e ngjarjes nëna ka telefonuar ambulancën për t’iu thënë se 37-vjeçarja nuk ndihej mirë. Më pas është konstatuar vdekja dhe ambulanca ka njoftuar policinë, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. Më pas Marsela Pushani dhe nëna e kanë deklaruar se 37-vjeçarja mund të kishte kryer vetëvrasje. Pas autopsisë është zbuluar se ajo ishte vrarë me thikë dhe kishte plagë në pjesën abdominale. E ballafaquar me faktet, Marsela Pushani ka deklaruar se e kishte kryer krimin për vetëmbrojtje, pasi Amanda i kishte kërcënuar bashkë me nënën dhe kishte pasur thikë në dorë.

Konflikte mes motrave dyshohet se ka pasur dhe për shkak të personave me të cilave shoqërohej 37-vjeçarja, e cila ishte e papunë. Ajo shkonte shpesh në marketet e lagjes dhe kërkonte alkool, por pa i paguar. Më pas daja i saj paguante borxhet. Përveç konflikteve familjare, ditën e shtunë pasi nuk kishte qenë për 24 orë në banesë, ka nisur sërish debati për konsumimin e alkoolit dhe personat me të cilët shoqërohej.”, tha gazetari Igli Çelmeta.

Ndërkohë, Fatjon Softa shtoi se; “Një ngjarje që ka pasur shtrirje kohore. Ka qenë diçka kronike dhe problem shqetësues. Nëse është përdorur arma, ku është arma? I kemi gjurmët e viktimës dhe personit tjetër?”.