AKTUALITET, 4 Shtator 2023, 13:40

Operacionet antikanabis/ Balla: Shqiptarët presin pastrim të territorit nga bimët narkotike. Do të ndëshkohen ata që kryejnë vepra penale në dëm të nxënësve

Operacionet antikanabis/ Balla: Shqiptarët presin pastrim të

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka komentuar operacionet e Policisë së Shtetit, për luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla deklaron se shqiptarët presin një pastrim të territorit nga kultivimi i paligjshëm i bimëve narkotike, dhe goditjen e trafikantëve dhe shpërndarësve të tyre.

Sipas Ballës kultivimi i paligjshëm i kanabisit ka sjellë një rritje të përdoruesve, kryesisht në moshat e reja.

“Unë jam vetë prind dhe i mirëkuptoj të gjithë prindërit, gjyshërit, familjet shqiptare të cilët presin nga Policia e Shtetit më shumë rezultate në goditjen e trafikantëve dhe shpërndarësve të lëndëve narkotike pranë shkollave apo mjedise të tjera të frekuentuara nga të rinjtë.

Paketa e Sigurisë në shkolla do të garantojë një PERIMETËR SIGURIE përreth shkollave dhe ashpërsim të ndëshkimit të keqbërësve që kryejnë vepra penale në dëm të nxënësve/të rinjve, me fokus të veçantë goditjen e rrjeteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike”, shkruan Balla.