AKTUALITET, 4 Shtator 2023, 14:35

Aksidentet me makina, dëmshpërblimet rriten me 12.2%/ Ja sa paguan kompanitë e sigurimeve për të mbuluar dëmet

Aksidentet me makina, dëmshpërblimet rriten me 12.2%/ Ja sa paguan

Vera e këtij viti ka shënuar një rritje të ndjeshme volumit të dëmshpërblimeve që kanë paguar kompanitë e sigurimit për të mbuluar dëmet e shkaktuara nga aksidentet. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, dëmet e paguara bruto në sigurimin e motorik për muajin janar-korrik 2023 kapën vlerën 2,8 miliardë lekë, afërisht 26 milionë euro, duke pësuar një rritje me rreth 12.25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ato përbejnë edhe pjesën dërrmuese të dëmshpërblimeve të paguara deri në këtë fazë të vitit nga ana e kompanive të sigurimeve. Specifikisht, ato zënë 72% të totalit. Ndërkaq, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve për këtë periudhë, arritën në rreth 3,9 miliardë lekë, ose 5.43% më shumë se në muajin janar-korrik 2022.

Me ritme më të ulëta se dëmshpërblimet janë shtuar sigurimet e automjeteve për periudhën janar-korrik. Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, arritën rreth 7,5 miliardë lekë, ose 7.81% më shumë se në muajin janar-korrik 2022. Produkti MTPL e brendshme, në muajin janar-korrik 2023, pati një rritje prej 8.58% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 9.76% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Produkti Karton Jeshil në muajin janar-korrik 2023 pati një rritje prej 4.17% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 48.25% krahasuar me muajin janar-korrik 2022. Produkti Sigurim Kufitar, në muajin janar-korrik 2023, pati një rritje 4.46% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me muajin janar-korrik 2022. Edhe numri i kontratave u rrit me 18.40%.