AKTUALITET, 24 Qershor 2023, 20:30

Prindërit e kërkonin prej tre ditësh, lajme të mira për 14-vjeçaren nga Patosi, e mitura gjendet në Tiranë

Prindërit e kërkonin prej tre ditësh, lajme të mira për

Pas alarmit që dhanë prindërit e një vajze të mitur nga Patosi, se ajo ishte zhdukur pa adresë, një lajm i mirë vjen për 14-vjeçaren. Mësohet se e mitura është gjetur sot nga policia në kryeqytet. E mitura, me iniciale J. M., nxënëse e klasës së tetë në shkollën 9-vjeçare “Koli Dimo” në Frashër ishte larguar para 3 ditësh me një valixhe nga shtëpia.

Policia sqaron se vajza është lokalizuar në një nga hotelet e Tiranës dhe se është në gjendje të mirë shëndetësore. “Më datë 24.06.2023, në një hotel në rrugën “Shemsi Haka”, është gjetur shtetasja e mitur 14-vjeçare, e cila ishte shpallur në kërkim nga DVP Fier, për largim nga banesa. 14-vjeçarja ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ditën e sotme, prindërit e vajzës Artjan dhe Luiza Metaj bënë apel në media që vajza të kthehej sa më parë në shtëpi.

“Iku me valixhe. E kishin parë në Fier. Më tha goca e xhaxhait, që e kishin parë në foto. Kur e pyetën se ku po shkonte, kishte thënë; do iki t’i çoj rrobat kushërirës. Më nisën foto që po ikte. Kishte ikur me autobus në Tiranë, nuk e kishin kapur dot. Nuk dimë gjë ne. Nuk kemi folur me të. Tani jemi në dorë të shtetit. Ka marrë rrogat e saj, pjastër, opinga. Nuk e dimë se me kë mund të jetë larguar. Asgjë nuk dimë se me kë mund të jetë. Nuk më tregonte asgjë. I thoja; ça ke ndonjë të re. Nuk më tregonte asgjë. Ajo ikte nga shkolla, më thanë shoqet. Nga shkolla asnjë s’më tha gjë se ishte larguar. Nuk di gjë. E kërkoj të ma gjej shteti. Isha jashtë kur ka ikur vajza. Kishte fikur dhe telefonin.”, tha nëna e saj.