AKTUALITET, 1 Shtator 2023, 13:12

Policia e Vlorës: 56-vjeçari humbi jetën si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit, jo nga lënda plasëse

Policia e Vlorës: 56-vjeçari humbi jetën si pasojë e

Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në Selenicë të Vlorës, ku një 56-vjeçar ka ndërruar jetë si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi. Më herët u aludua se nuk ishte bombol gazi ajo që i kishte marrë jetën Durim Gllucaj, por një lëndë plasëse, por policia konfirmoi versionin e parë. 56-vjeçari ka humbur jetën teksa po transportohej për në spital.

Njoftimi i policisë:

Selenicë, Vlorë/Zbardhet ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm, në Selenicë, ku si pasojë e një shpërthimi, humbi jetën shtetasi D. G., 56 vjeç.

Dokumentohet me prova ligjore se në territorin e jashtëm të banesës së shtetasit D. G., ka shpërthyer bombola e një sobe të vogël me gaz.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë rast, dhe nga ekspertët xhenierë, në drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, të cilët shkuan në vendngjarje menjëherë pas njoftimit, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore i ngjarjes së raportuar në sallën operative të DVP Vlorë, rreth orës 06:15 të mëngjesit të sotëm.

Nga hetimet rezulton se mëngjesin e sotëm, në territorin e jashtëm të banesës së shtetasit D. G., 56 vjeç, ka shpërthyer një sobë e vogël me gaz. Nga shpërthimi është dëmtuar shtetasi D. G., i cili si pasojë ka humbur jetën, gjatë transportimit në spital.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.