AKTUALITET, 1 Shtator 2023, 10:52

Berisha në mbledhjen me deputetët e Rithemelimit: Rama mban Belerin në burg që të mos betohet si kryetar bashkie

Berisha në mbledhjen me deputetët e Rithemelimit: Rama mban Belerin

Ish-kryeministri Sali Berisha, ashtu siç edhe u njoftua dje, ka mbledhur sot Grupin Parlamentar të Rithemelimit. Berisha u shpreh dje se në mbledhje do ketë diskutime mbi vendimmarrjen dhe funksionimin e Grupit Parlamentar. Sakaq, kjo mbledhje vjen në kuadrin e nisjes së sesionit të ri parlamentar.

Berisha e nisi fjalën e tij duke thënë se ky sesion parlamentar do të startojë me sesionin e betejave “më të fuqishme kundër këtij regjimi të damkosur në shkallë maksimale, në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar”. Po ashtu ai tha se Edi Rama po mban në burg Fredi Belerin në mënyrë që t’i skadojë afati 90 ditë për të mos u betuar si kryetari i ri i bashkisë së Himarës.

Pjesë nga fjala e Berishës:

E nisim këtë sesion parlamentar, në sesionin e betejave më të fuqishme kundër këtij regjimi të damkosur në shkallë maksimale, në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Unë e kuptoj që për mënyrën si funksionon parlamenti, ai funksionon si një parlament cubash, hajdutësh dhe njerëz që nuk kanë, nuk njohin as ligj, as moral, as kushtetutë, as rregullore. Institucioni në të cilin të drejtat e deputetëve dhe për rrjedhojë të atyre që përfaqësojnë deputetët, shkelmohen çdo orë, çdo ditë. Parlament i cili është totalisht në  funksion të regjimit të Edi Ramës, regjimit të krimit, drogës dhe vjedhjeve.

Parë në këtë kontekst, është tmerrësisht e vështirë ulja në atë sallë, por detyrime më supreme ndaj zgjedhësve tanë, na detyrojnë ne që jo vetëm që të ulemi, por të shumëfishojmë përkushtimin tonë, të shumëfishojmë alternativën tonë për qytetarët shqiptarë dhe denoncimet në të gjitha drejtimet të këtij regjimi që kryesohet nga një njeri, sot më i diskredituari në Ballkan dhe Europë, pas Putinit dhe Lukashenkos.

Edi Rama është turpi i Shqipërisë. Çdo ditë që kalon është një mbulesë turpi për ne. I vetmi kryeministër në rajon të refuzohet nga dy kryeministra të vendeve fqinje.

Ai nuk ka më një minutë të qetë në shpirtin e tij sepse është i zbërthyer totalisht i lidhur kokë r këmbë me krimin, drogën dhe vjedhjen. Nuk u prit në Athinë sepse samiti ishte për vlerat europiane që duhet të ndajnë vendet e rajonit.

Mban në burg Belerin që të skadojë afati i 90 ditëve që ai të mos betohet si kryetari i bashkisë së Himarës.