AKTUALITET, 4 Prill 2023, 15:40

Pas hekurave për spiunazh, blogerja ruse në gjyq për ekstradimin drejt Rusisë: Dua të qëndroj në Shqipëri (Çfarë ndodhi në seancë)

Pas hekurave për spiunazh, blogerja ruse në gjyq për ekstradimin

“Kam bërë kërkesën si azilkërkuese në Shqipëri. Jam dakord të qëndroj në Shqipëri”. Kështu ka deklaruar blogerja ruse Svetlana Timofeva e arrestuar verën e kaluar në Shqipëri së bashku me një shtetas rus dhe një ukrainas për spiunazh.

Teksa në Gjykatën e Elbasanit mbahej seanca për të vendosur për fatin e saj, nëse do të ekstradohet ose jo drejt Rusisë, prokuroria ka deklaruar se situata e luftës pamundëson ekstradimin e saj, megjithëse autoritetet ruse kanë kërkuar lejimin e ekstradimit të saj.

“Federata Ruse ka përjashtuar çdo përgjegjësi të saj që lidhet me KE,

Situata e përfshirjes së Rusisë në luftë pamundëson ekstradimin e saj drejt Rusisë

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan i kërkon Gjykatës që të mos lejohet ekstradimi i shtetases ruse drejt Rusisë.

Aktualisht ka edhe një procedimin penal ndaj saj në Republikën e Shqipërisë”, tha prokurori në seancë.

Nga ana tjetër avokatët e cilësuan kërkesën e prokurorisë për mospranimin e kërkesës për lejim ekstradimi të shtetases ruse drejt Rusisë një kërkesë të ligjshme.

Sipas tyre, moslejimi i ekstradimit të saj është i bazuar në Konventën Europiane për të Drejtat e Lirive Themelore të Njeriut.

Timofeeva, 33 vjeçe nga Rusia, u arrestua më 20 gusht të vitit 2022 së bashku me dy shtetas të tjerë, Mikhail Zorin, 23 vjeç nga Rusia dhe Fedir Aplatov nga Ukraina, pasi tentuan të hynin në ambientet e uzinës së armëve në Gramsh dhe hodhën sprej neuro-paralizues ndaj dy ushtarëve që ruanin objektin ushtarak.