AKTUALITET, 4 Prill 2023, 12:59

Fjalimi i Thaçit në Hagë: Më vjen keq që për pafajësinë time s’do të mund të dëshmojë Rugova (VIDEO)

Fjalimi i Thaçit në Hagë: Më vjen keq që për
Thaçi në Hagë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që po akuzohet për krime lufte nga Specialja, ka mohuar pretendimet e Prokurorisë. Ai ka thënë se është tërësisht i pafajshëm e se i vjen keq për të gjitha viktimat. Thaçi ka thënë se është i kënaqur që procesi ka dëshmuar se s’ka pasur trafikim organesh nga UÇK-ja.

Në fjalimin para Speciales, Thaçi ka thënë se pret që gjykimi ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të jetë i drejtë dhe të përfundojë shpejt.

“Jam i kënaqur që procesi e ka dëshmuar edhe njëherë se nuk ka pasur trafikim organesh e shtëpi të verdhë. Kosovës i është hequr reja e zezë të cilën ia kishte vënë Raporti i Martyt”, ka thënë Thaçi.

 Thaçi ka thënë se i vjen keq që për pafajësinë e tij s’do të mund të dëshmojnë disa figura të larta botërore por edhe ato vendore.

Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Madeleine Albright, Richard Hoolbroke e disa të tjerë, janë përmendur nga Thaçi si emra që i vjen keq që s’do të mund të dëshmojnë.

Ai ka thënë se megjithatë për të do të dëshmojnë “shumë të tjerë që janë të interesuar”.

Avokatët: Thaçi s’pajtohej me krimet ndaj civilëve serbë

Mbrojtja e Hashim Thaçit tha se klienti i tyre nuk ishte i kënaqur me largimin e civilëve serbë nga Kosova, pas mbarimit të luftës.

Avokati i tij, Lluka Mishetiq, tha se as Thaçi e as Shtabi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishin pajtuar me sulmet dhe frikësimet e vazhdueshme ndaj popullatës së pafajshme në Kosovë.

“Raporti (ndërkombëtar v.j.) vëren se ka të ngjarë se Thaçi nuk ka qenë i kënaqur nga këto krime dhe ‘është e besueshme që udhëheqësi i UÇK-së, Hashim Thaçi së bashku me shumë prej komandantëve të lartë, mund të mos jenë të kënaqur me këto sulme dhe frikësim të vazhduar ndaj popullatës shqiptare të Kosovës’”, tha ai.

Sipas mbrojtësit, Thaçi kishte kërkuar që serbët e larguar të ktheheshin dhe të punonin “për ndërtimin e paqes në Kosovë”.

“Nuk do të lejojmë që askush në qytetin e Rahovecit t’i merr nën mbrojtje kriminelët nuk do të lejojmë anarki, as një frymë të jo tolerancës sepse ne siç kemi treguar, do të tregojmë se jemi ata që kemi respektuar rregullat dhe rendin demokratik. Siç kemi respektuar, do t’i respektojmë përsëri”, kishte deklaruar Thaçi në 1999-n në një takim me qytetarët e Rahovecit, e ky deklarim u përdor nga mbrojtja para trupit gjykues.

“Raste kidnapimi ndodhën nga keqbërësit në raste të izoluara dhe çdo gjë bëhej jashtë kontrollit të UÇK-së, pasi UÇK-ja s’kishte politikë për t’i shënjestruar qytetarët civilë", shtoi avokati.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, ka thënë se Thaçi s’e ka mohuar asnjëherë që janë kryer krime të luftës, por këto sipas tij, s’janë bërë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Sipas Kehoes, krimet nuk kanë qenë të motivuara, por janë kryer nga individë shqiptarë.

“Janë kryer krime, por jo të motivuara. Thaçi s’e mohon se disa krime janë kryer nga disa individë shqiptarë. E ka informuar edhe në Këshillin e Sigurimit, por e kundërshton pretendimin se janë kryer krime nga udhëheqja e UÇK-së”, ka thënë avokati.

Sipas avokatit, Thaçi s’kishte pse të merrte pjesë në krime pasi “ai e dinte se suksesi i lëvizjes çlirimtare varej nga shtetet perëndimore, sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Thaçi e dinte se Kosova s'mund të arrinte pavarësinë pa ndihmën e SHBA-së. Ai kishte motivimin për të mos u angazhuar në ndërmarrje të përbashkët kriminale”, ka shtuar ai.

Avokati i Thaçit ka thënë se klienti i tij s’kishte mundësi t’i parandalonte krimet që ndodhnin nëpër zonat e luftës, pasi sipas tij, pushteti real u takonte komandantëve të zonave.

“Azem Syla ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së, e pa i marrë mendim Azem Syla u shkarkua si komandant dhe u zëvendësua nga Sylejman Selimi. Kjo na qenka struktura komanduese...Mjafton ky fakt që trupi gjykues të arrijë përfundimin se s’ka pasur strukturë komanduese. Ai (Thaçi) s’kishte kontroll efektiv dhe pushtetin përfundimtar dhe mbi politikën dhe UÇK-së. Provat nga Rambujeja nga tregojnë se Thaçi s’kishte mundësi të parandalonte krimet që ndodhnin nëpër zona. Pushteti real u takonte komandantëve të zonave”, ka thënë avokati Kehoe.

Ai ka folur edhe për veprimtarin e çështjes, Adem Demaçi.

“Këto zhvillime u mbështetën nga Adem Demaçi. Do të flasim për Demaçin... Ai s’u përmend nga ZPS-ja që kishte njëfarë pushteti brenda UÇK-së. Dje qëndruam 4 orë duke dëgjuar për një varg qendrash ndalimi pa përmendur që komandanti i UÇK-së u hoq pa marrë mendim të atyre personave në Rambouillet dhe flisnin në emër të UÇK-së. Ishin personat e nivelit lokal dhe vartësit e tyre që merrnin vendime. Demaçi ishte përfaqësuesi politik i përgjithshëm i UÇK-së dhe autoriteti suprem i UÇK-së”, ka shtuar Kehoe.

Sipas tij, se Thaçi dhe UÇK-ja nuk ishin të sistemuar, dëshmohet edhe nëpërmjet një letre të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ai tha se DASH-i kishte shkruar letër ku thuhej se Kosova “s’kishte strukturë politike dhe do të duhen shumë muaj për të ruajtur ndihmën ushtarake që do të ofrohet nga SHBA-ja”.

“UÇK-ja ishte forcë guerile, e njerëzve që kishin qëllim t’i përgjigjeshin regjimit serb. Këta ishin fermerë, punonjës, studentë, mësues, s’ishin ushtarakë të trajnuar, nuk ishin persona që ishin pjesë e ushtrive. Pra, flitej për njerëz të zakonshëm. Njësitet u formuan në nivel vendor. Përpjekjet për t’u organizuar në pranverë u shkatërruan nga forcat eprore serbe. Brigadat u shkatërruan. UÇK-ja e kishte konfirmuar Azem Sylën si komandant dhe jo Thaçin, e ai u zëvendësua (Azem Syla). U caktuan edhe dy zv.komandantë e asnjëri s’ishte Thaçi. Thaçi ishte njëri prej 9 drejtorive”, deklaroi avokati.

Ai foli edhe për rolin e Thaçit në Drejtorinë Politike të UÇK-së.

“Detyra e Drejtorisë Politike të UÇK-së ishte të negocionte dhe të takohej me ndërkombëtarët që të siguronte mbështetje për kauzën. As Thaçi e as e Drejtoria s’ishin përgjegjëse për caktimin e politikave të UÇK-së”, shtoi ai.

Gregory Kehoe, avokat i Hashim Thaçit, ka mohuar të gjitha pretendimet e Prokurorisë Speciale në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka thënë se Hashim Thaçi, nuk kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime. Ka thënë se Thaçi e ka pasur mbështetjen e SHBA-së dhe të bashkësisë ndërkombëtare e s’ka pasur pse të merrte pjesë në krime sepse do ta humbte atë mbështetje. Te kjo pikë ai ka publikuar fotografi të Thaçit me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë ish-sekretaren amerikane, Madeleine Albright. Ka paraqitur video të BBC-së ku shihej dëbimi i shqiptarëve nga Kosova.

Kehoe ka thënë se UÇK-ja s’ka qenë ushtri e rregullt, madje s’ka pasur kontroll nëpër shtabe, sidomos gjatë vitit 1998.

S’ka mohuar se në Kosovë mund të ketë pasur krime, por ka thënë se ato janë bërë në “shenjë hakmarrjeje pasi Serbia ka bërë shumë krime”. Ka përmendur dëbimin e shqiptarëve, masakrat e kryera në Kosovë.