AKTUALITET, 4 Prill 2023, 14:10

“Mesazh politik i gabuar dhe i dëmshëm”/ Politologu analizon foton e Ramës dhe ministrave me drejtoren e SHISH-it

“Mesazh politik i gabuar dhe i dëmshëm”/ Politologu

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot drejtoreshën e re të Shërbimit të Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, një ditë pas dekretimit të saj nga presidenti Bajram Begaj. Rama ndau në rrjetet sociale një foto krah Hysenit, ministrave Ulsi Manja, Bledi Çuçi e Niko Peleshi si dhe kreut të komanduar të SHISH-it, Olian Kanushi.

“Sapo mbaruam prezantimin në institucion të drejtores së re të Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e cila u dekretua dje nga Presidenti i Republikës”, shkroi Rama.

Për politologun Afrim Krasniqi, kjo ishte një sjellje e gabuar politike. Duke analizuar foton e publikuar nga kryeministri Edi Rama, Krasniqi shkruan se është një foto dhe një mesazh i gabuar, pasi në prezantim duhet të ishte Presidenti, drejtues të PS dhe PD dhe jo vetëm ministra, çka përcjell sipas tij një mesazh politik të dëmshëm dhe të panevojshëm.

“Foto e gabuar! Në prezantimin e kreut të SHISH do të duhej të ishte Presidenti (dekretuesi) dhe, nëse jo, drejtues PS&PD të organit kontrollues, komisionit të sigurisë në Kuvend. As njëri, as tjetri, por 3+1 ministra. Mesazh politik & institucional i gabuar & i dëmshëm & i panevojshëm”-shkroi Krasniqi.

Propozimi i Hysenit, këshilltare në kryeministri, ishte parë me vështrim kritik në Tiranë, sepse, më 30 qershor të vitit 2021, Hyseni ishte shkarkuar nga posti i zv. drejtoreshës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, me firmat e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

“Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 6 (paragrafi 4) të Ligjit Nr.03/L-063 për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (GZ, Nr. 30, 15 qershor 2008). Vendimi për shkarkim e obligon znj. Vlora Hyseni të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar. Gjithashtu, znj. Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara. Zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Hyseni ishte emëruar zv.drejtoreshë e AKI-së në shkurt të vitit 2019. U emërua me mandat pesëvjeçar nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj.