AKTUALITET, 14 Prill 2023, 22:14

Pacolli shtron iftar për kryeministrin Abazoviq, në tavolinë edhe deputeti shkodran që "bleu" Rama (VIDEO)

Pacolli shtron iftar për kryeministrin Abazoviq, në tavolinë edhe
Iftari në shtëpinë e Pacollit

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka pritur në shtëpinë e tij luksoze për iftar kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Pacolli ka publikuar një video gjatë pritjes jashtë shtëpisë e deri te hapësirat e brendshme që i ka bërë Abazoviqit, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovës.

“Në iftarin e 23-të pata kënaqësi të mirëpres sonte në shtëpi Kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviq me ministrat e tij dhe delegacion përcjellës, përfshirë edhe miq tjerë të biznesit kosovar, në krye me mikun tim Agim Shahinin”, ka njoftuar Pacolli.

“Kryeministrin e falënderova edhe për vizitë, dhe për përkrahjen e tij ndaj Kosovës. Është krenari kur shohim shqiptarët të avancuar në pozita të larta shtetërore në shtetet fqinj”, ka shtuar në fund ai. 

Në pamjet e shpërndara nga Pacolli duket edhe deputeti i PS-së në Shkodër, Agron Çela, i cili kaloi nga Partia e Lirisë vetëm dhjetorin e kaluar në kuadër të "blerjeve" që po bën kryeministri Rama për fituar bashkinë e kryeqendrës së veriut, për herë të parë pas 31 viteve pluralizëm. 

Çela, biznesmen i njohur në Shqipëri, duket shumë i ekzaltuar nga prania në tryezë dhe fikson me celularin e vet fjalimin e Abazoviq për ftesën e bërë nga Pacolli, biznesmen dhe drejtues i partisë AKR në Kosovë.