AKTUALITET, 14 Prill 2023, 16:18

Shqiptarët po kursejnë/ 10 miliardë euro në banka, depozitat janë rritur krahasuar me një vit më parë

Shqiptarët po kursejnë/ 10 miliardë euro në banka, depozitat

Ndonëse flitet për krizë për shkak të çmimeve të larta, niveli i depozitave ka pësuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit  që lamë pas. Në bazë të raportit vjetor të Agjencisë së Depozitave në total depozitat kapën vlerën e rreth 10 miliard eurove në vitin 2022 nga rreth 9.2 mld euro një vit më parë. Nga të dhënat rezulton se pjesa më e madhe  e llogarive që zotërohen nga individët janë  bosh.

Sipas raportit të Agjencisë së Depozitave mbi 1 e treta e llogarive që zotërojnë individët janë vetëm për tërheqjen e pagave, raporton AbcNews. Në këtë numër ka depozitues me balancë zero deri në 100 lek  që është minimumi ligjor për kompensim, të cilët në dhjetor 2022 janë 900,343.

Ndërkohë individët që kanë në banka midis 100 deri në 2.5 milionë lekë përbëjnë 60% të totalit të numrit të depozituesve. Depozituesit e mëdhenj janë më të paktë  por kanë peshën kryesore të kursimeve në banka.

Janë rreth 115 mijë individë, që kishin depozita më të mëdha se 2.5 milionë lekë në fund të dhjetorit 2022. Sipas numrit të llogarive, ata përbëjnë vetëm 4.5% të totalit të depozituesve.

Peshën më të madhe të depozitave të sigurueshme të individëve e zënë depozitat në lekë me 48%, ndjekur nga depozitat ne euro me 46%.Gjatë vitit 2022 ecuria e depozitave të individëve në lekë ka qenë pozitive gjatë gjithë muajve të vitit me përjashtim të një rënieje të lehtë në muajt mars, korrik e gusht.