TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati sjell një tjetër personazh në podcastin e tij. Socialisti këtë herë ka ndarë me ndjekësit e tij një bisedë me ish-homologun grek Nikos Kotzias, ku ky i fundit flet për luftën asimetrike në Ukrainë dhe dyzimin e fuqive të mëdha. “Që pas Luftës së Dytë Botërore, është hera e parë në Europë që një Fuqi e Madhe përpiqet të aneksojë një pjesë të një shteti tjetër në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, në kundërshtim me atë që është pranuar në Helsinki gjatë Luftës së Ftohtë, si dhe në kundërshtim me të drejtën e një kombi për të ekzistuar. Ukraina ka bërë atë që kanë bërë nganjëherë vendet e vogla apo të mesme gjatë Luftës së Ftohtë. Ukrainasit rezistuan përkundrejt mendimeve dhe planeve të Perëndimit dhe përkundrejt shpresave të rusëve që për katër a pesë ditë do t’ia dilnin të pushtonin Kievin”, -pohon Kotzias.
Mes të tjerash Kotzias thekson se shovinizmi dhe nacionalizmi janë në rritje në rajonin tonë. “Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, të ruajmë paqen në të gjithë kontinentin dhe të mos lejojmë që paqëndrueshmëria në Ukrainë të zbresë drejt jugut tek ne, sepse e kujtojmë shumë mirë se çfarë ndodhi me luftërat në Jugosllavi. Është shumë e vështirë t’i mbash këto luftëra jashtë kufijve tanë, që të mbrojmë popullsinë. Mendoj se kjo luftë është një histori shumë e keqe. Ndaj, na duhet të mbrojmë vlerat e të drejtës ndërkombëtare dhe të njerëzimit, në mënyrë që asnjë Fuqie të mos i shkojë në mendje që të përpiqet të bëjë të njëjtën gjë”, thotë Kotzias.
Teksa u ndal te negociatat që çuan në Marrëveshjen e Prespës, Kotzias zbulon disa detaje duke vlerësuar rolin dhe kontributin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Kotzias nuk kurseu edhe një kritikë për qeverinë greke, e cila sipas tij “nuk ka interes të vërtetë për politikë të vërtetë, por kujdeset vetëm për dukjen e komunikimin, duke ushtruar një politikë të jashtme brenda partisë së tyre, as brenda vendit jo”.
Kotzias dhe Bushati diskutuan edhe për raportin e BE-së me Ballkanin Perëndimor, 20 vjet nga Samiti i Selanikut. Ish-ministri grek mendon se BE është në një faqe krejt të re. “BE-ja jo vetëm nuk po i mban premtimet e bëra në Selanik, por fakti është se BE-ja nuk është e njëjta si ajo e kohës së Samitit të Selanikut”, thotë ai, ndërsa i referohet interesave të ndryshme të Gjermanisë dhe Francës në raport me të ardhmen e Europës. Në këtë kontekst, Kotizas parashtron tri detyra për vendet e rajonit. Të punojnë për një sistem sigurie të vetë rajonit. Të shpjegojnë domosdoshmërinë e rrugëtimit për në Bashkimin Europian. Të përmirësojnë situatën përsa i takon korrupsionit, institucioneve, demokracisë dhe shtetit të së drejtës”.
Dhe në fund të bisedës, Kotzias bën një parashikim të fortë. “Perëndimi është në rënie. Brenda Perëndimit, ajo pjesë e Perëndimit që ka shumicën e problemeve dhe është shumë e mundur që është në rënie, më shpejt sesa pjesa tjetër e Perëndimit, është Bashkimi Europian. Dhe brenda Bashkimit Europian, në Europë, si kandidatë dhe anëtarë, gjithashtu rajoni ynë ka problemin më të madh brenda kontinentit Europian, që ka në vetvete problemin më të madh brenda botës perëndimore. Pra, nëse nuk bëjmë gjë, nëse nuk ndryshojmë planin që kemi për të ardhmen, nëse nuk ëndërrojmë për këtë të ardhme, nëse nuk kemi asnjë vizion, dhe nëse nuk kemi fuqinë dhe shpirtin për të luftuar për këtë të ardhme e këtë vizion, do të jemi në grup humbësit e mëdhenj të shekullit të njëzet e një.”, tha Kotzias.