TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Merr fund pas 16 vitesh sundimi i Viktor Orban në Hungari, ndërsa opozita po shënon një fitore të thellë.
Orban ka pranuar humbjen e zgjedhjeve në një fjalim para mbështetësve, duke u thënë atyre: “Rezultati i zgjedhjeve është i qartë dhe i dhimbshëm. Ne nuk kemi më peshën e qeverisjes së vendit, ndaj duhet të rindërtojmë komunitetet tona.”
Ai falënderoi dy milionë e gjysmë votuesit që deri tani kanë votuar për partinë e tij Fidesz dhe premtoi se ata nuk do të zhgënjehen kurrë.
Ai vazhdoi: “Ne nuk dorëzohemi kurrë, kjo është një gjë që njerëzit e dinë për ne – ne nuk dorëzohemi kurrë. Ditët që na presin janë për të shëruar plagët tona.”
Péter Magyar pritet të bëhet kryeministri i ri i vendit dhe partia e tij pritet të fitojë një shumicë të madhe në parlament.
Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë rekord, në një votim që u konsiderua vendimtar për të ardhmen e Hungarisë dhe Evropës.
Humbja e Orbánit do të shihet si një goditje për aleatët e tij të afërt Vladimir Putin dhe Donald Trump.
Magyar, një ish-aleat i Orbánit që u kthye në kritikun e tij më të ashpër, ka premtuar lidhje më të ngushta me BE-në dhe një agjendë kundër korrupsionit.
Lideri i opozitës thotë se ka marrë një telefonatë nga kryeministri Viktor Orbán, në të cilën ai pranoi humbjen. Ai shkroi në Facebook: “Viktor Orbán sapo më telefonoi dhe na uroi për fitoren tonë.”
Reagimet
Shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka reaguar pas humbjes së Viktor Orban në Hungari dhe fitores së rivalit të tij, Peter Magyar.
“Në këtë mbrëmje, zemra e Evropës rreh më fort në Hungari", shkroi fillimisht von der Leyen në X, pasi Viktor Orban pranoi humbjen e zgjedhjeve.
"Hungaria ka zgjedhur Evropën. Evropa gjithmonë e ka zgjedhur Hungarinë. Një vend po rimerr rrugën e tij evropiane. Bashkimi bëhet më i fortë", deklaroi ajo në një postim të dytë.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka uruar Magyar për fitoren.
"Sapo kam zhvilluar një bisedë me Péter Magyar për ta përgëzuar për fitoren e tij në Hungari! Franca përshëndet një fitore të pjesëmarrjes demokratike, të përkushtimit të popullit hungarez ndaj vlerave të Bashkimit Evropian dhe për Hungarinë në Evropë. Së bashku, le të çojmë përpara një Evropë më sovrane, për sigurinë e kontinentit tonë, konkurrueshmërinë tonë dhe demokracinë tonë", shkruan Macron.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka reaguar duke uruar Magyar. Ai shprehet se pret të bashkëpunojë me liderin e ri.
"Populli hungarez ka vendosur. Urimet e mia të sinqerta për suksesin tuaj elektoral, i dashur Péter Magyar. Me padurim pres të bashkëpunoj me ju. Le të bashkojmë forcat për një Evropë të fortë, të sigurt dhe, mbi të gjitha, të bashkuar. Gratulálok, kedves Magyar Péter!", shkruan Merz.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, shkruan se ky është një moment historik për demokracinë europiane.
"Urime Péter Magyar për fitoren tuaj në zgjedhje. Ky është një moment historik, jo vetëm për Hungarinë, por për demokracinë evropiane. Pres me padurim të punoj me ju për sigurinë dhe prosperitetin e të dy vendeve tona", deklaron Starmer.
Liderët nordikë dhe baltikë kanë përgëzuar Tisza-n për fitoren historike.
Jonas Gahr Støre e ka quajtur atë “një rezultat me rëndësi të madhe për gjithë Evropën”, ndërsa Ulf Kristersson e ka cilësuar si “një fitore historike” që “shënon një kapitull të ri në historinë e Hungarisë.”
Presidenti dhe kryeministri i Lituanisë kanë dërguar gjithashtu urimet e tyre, ashtu si edhe kryeministri i Letonisë.
Po kështu ka reaguar edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic.
"Sapo kam biseduar në telefon me Péter Magyar dhe e kam përgëzuar atë dhe TISZA-n për fitoren e tyre bindëse në zgjedhjet në Hungari. Me një mandat të qartë nga votuesit hungarezë, i urova atij formimin sa më të shpejtë dhe të suksesshëm të qeverisë së re dhe çdo sukses në punën e tij", shkruan ai.