TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar se vendi ka hyrë në një fazë të re të rritjes së pagave dhe reformimit të skemës së pensioneve, duke e cilësuar këtë si një hap drejt rritjes reale të të ardhurave dhe mbrojtjes së fuqisë blerëse.
Në podkastin e tij Flasim, Rama tha se nga 1 janari i këtij viti paga minimale në shkallë vendi ka arritur në 500 euro, ndërsa paga mesatare është rritur me rreth 10%, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.
Ai theksoi se qëllimi kryesor i politikës së re është jo vetëm rritja nominale e pagave, por edhe kompensimi i ndikimit të inflacionit mbi të ardhurat e qytetarëve.
Kryeministri nënvizoi se në sektorin publik do të aplikohet indeksimi i pagave çdo dy vjet, i shoqëruar me mekanizma shtesë për kategori të veçanta, përfshirë mësuesit, mjekët, infermierët, punonjësit e policisë, ushtarakët dhe administratën publike.
“Këtu bëhet fjalë për çka na ka munguar si mekanizëm, jo sepse nuk e kemi ditur mungesën, por sepse s’kemi mundur ta adresojmë si pasojë e mungesës së mundësive të ekonomisë. Sot që ekonomia na ka dhënë mundësi të reja, ne kemi vendosur të indeksojmë pagat në sektorin publik çdo dy vite, me mekanizma shtesë për kategori të ndryshme, dhe kësisoj të korrigjojmë impaktin e inflacionit mbi pagën për mësuesit, për mjekët, infermierët, punonjësit e policisë, ushtarakët dhe administratën.
Një vëmendje e veçantë i është dhënë sistemit shëndetësor, ku nga qershori pagat do të rriten edhe në disa shërbime kritike. Mjekët e urgjencës do të trajtohen në të njëjtin nivel me të tjerët edhe për sa i përket rojeve, që janë një ngarkesë ekstra. Ndërkohë, shtesat konkrete do të arrijnë në 18 mijë lekë në muaj për mjekët dhe 12 mijë lekë për infermierët dhe teknikët, të shoqëruara me paga më të larta për turnet dhe një sistem rivlerësimi për përvojën.
Është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë aty ku përgjegjësia është më e lartë dhe ku sistemi kërkon mbështetje të përditshme. Është një politikë e qëndrueshme, sepse është një rritje ekonomike e qëndrueshme dhe janë mekanizma të nevojshëm, që kjo rritje ekonomike i ka bërë të mundshëm dhe, patjetër, edhe të matshëm në atë që është llogaria e çdo familjeje që jeton me punë të ndershme”, deklaroi kryeministri.
Në lidhje me pensionet, Rama tha se skema do të jetë një rritjeje të përvitshme, sipas së cilës pensionet e rritura këtë janar do të dyfishohen në vitin e ardhshëm, do të trefishohen në 2028, do të katërfishohen në 2029 dhe do të pesëfishohen në vitin 2030. Ai e cilësoi këtë si një mekanizëm të qëndrueshëm që synon forcimin gradual të të ardhurave të pensionistëve.
“Po përgatisim edhe një kolonë tjetër të skemës së pensioneve, e cila i bashkëngjitet në mënyrë komplementare sistemit aktual, kolonës qendrore të pensioneve, duke krijuar një hapësirë të re dhe një mundësi të dytë mbështetjeje për të ardhmen.
Ideja është shumë e thjeshtë: çdo punonjës që zgjedh të kontribuojë me një shumë të vogël nga paga e tij, për shembull 1 euro në muaj, do të ketë një kontribut të barabartë nga pala tjetër, shteti ose punëdhënësi në sektorin privat. Në këtë mënyrë, kontributi dyfishohet dhe, muaj pas muaji, krijohet një fond individual, i cili i shtohet pensionit që përfitohet normalisht nga kolona e parë, skema ekzistuese.
Kjo nuk është absolutisht diçka “alla shqiptare”, sepse ne nuk bëjmë të tilla; po mësojmë nga përvojat më të mira dhe përpiqemi të sjellim këtu modele të sprovuara. Pra, është një model i mirënjohur që krijon mundësinë e krijimit gradual të një fondi pensionesh, për më shumë siguri për individin dhe për një lidhje më të qëndrueshme mes punonjësit dhe punëdhënësit, shtetit apo privatit. Një mekanizëm sigurie financiare për moshën e tretë dhe, e përsëris, një mekanizëm komplementar që nuk e prek, por e forcon mekanizmin aktual”, tha kreu i qeverisë.