TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-deputeti Myslim Murrizi gjatë një interviste në Top News ka folur në lidhje me opozitë dhe njerëzit që Sali Berisha mban rreth vetes dhe duke e quajtur sistemin zgjedhor një "sistem bastard" të vulosur nga pazari Rama-Berisha i 2008-ës.
Në bisedën në emisionin "Breaking", Murrizi tha se vizita e Berishës në SHBA është një fitore morale personale, por jo një fitore politike për opozitën.
Sipas tij, ajo vizitë ishte përgjigjja ndaj një basti lokal që kryeministri Edi Rama hodhi në Parlament në janar 2019, kur i tha Berishës "me dash ti a e kalon oqeanin", duke e krahasuar me zënkat e fëmijëve të lagjes "a kalon dot te rruga ime".
"Berisha e fitoi këtë bastin, e kaloi oqeanin. E fitoi bastin personal përkundrejt shprehjes së famshme 'me dash ti a e kalon' që na e bën dhe jo vetëm me Ramën, por me Blinken që erdhi dhe bënte hoka në muzeun e Enver Hoxhës, me McGonigalin, me administratën Bajden, me Don Kërcënin dhe Kimetën Ngjyrë Jeshilit. Pra ka fituar bastin me një tufë lukuni zagaresh që me pagesë ka lobuar atje", tha Murrizi.
Por Murrizi thekson se politika nuk fitohet me baste jashtë, por me vota brenda. Dhe këtu, sipas tij, Berisha është i rrethuar nga njerëz pa asnjë peshë elektorale.
I pyetur pse Berisha i mban afër disa figura, Murrizi zbuloi se e ka ngritur këtë shqetësim edhe në Këshill Kombëtar, por nuk ka marrë përgjigje.
"E kam pyetur në Këshill Kombëtar dhe nuk kam marrë përgjigje, pse i mban dhe për çfarë të hyjnë në punë njerëz që nuk ja fërshëllen kush në pallat. Ndonjëherë jam tallur e i kam thënë se e kanë shtëpinë në katin e 13, hipin katër veta në ashensor nuk i flasin atyre që kanë komshi. Janë pa vota, janë pazarlinjtë e 2008-ës dhe 2024-ës që mbyllën listat me Edi Ramën sepse e dinë mirë që surratin e tyre nuk e voton kush. Me këta nuk fiton dot Berisha jo në Amerikë të shkojë, por të vijë vërdallë botës si të ketë qejf me anije kozmike te gjithë, sa të jetë Gazi, Nuli, Muli nuk fiton opozita", u shpreh ai.
Murrizi thotë se opozita nuk ka nevojë për mbështetje ndërkombëtare, por për besimin e shqiptarëve, dhe kjo arrihet vetëm duke shkatërruar marrëveshjen e vitit 2008 që e shndërroi Shqipërinë në një sistem ku kryetarët emërojnë deputetët.
"Opozita duhet të fitojë vota shqiptarësh. Jo baste ndërkombëtarësh. Bastet e ndërkombëtarëve janë një bixhoz i humbur në 36 vite postkomunizëm. Kush është mbështetur te ndërkombëtarët ka ik si shurrë pule në politikë."
"Strategjia duhet të ndryshojë. Opozita duhet të kërkojë falje për pazarin që Sali Berisha ka bërë me Edi Ramën në prill 2008-ës dhe duhet të luftojmë fort në parlament për të prishur këtë sistem bastard zgjedhor. Me këtë sistem bastard zgjedhor PD-ja nuk fiton kurrë. Kurrë s'ka fituar në pesë palë zgjedhje dhe nuk fiton kurrë të bëhen dhe 50 palë zgjedhje të tjera."