AKTUALITET, 24 Gusht 2022, 12:17

“Nuk na shpëton dot, po të vëzhgojmë”, si u ndoq 24-vjeçari rus pas pjesëmarrjes në demonstrata në Rusi, misioni që iu dha në Shqipëri

“Nuk na shpëton dot, po të vëzhgojmë”, si u ndoq

Detaje të reja nga dosja hetimore për tre shtetasit e dyshuar agjentë që u kapën pas sulmit dhe tentativës për të hyrë në uzinën e armëve në Gramsh.

24-vjeçari rus Michail Zorin, student i kimisë në Çeki ka marrë pjesë në disa demonstrata në Rusi para se të largohej nga vendi. Ai ka deklaruar se nëna e tij është ushtarake në ushtrinë ruse.

Pas largimit ai dyshohet se është përndjekur nga shërbimi inteligjent rus dhe ka deklaruar se nuk ka pse të largohet dhe se e dinin që ndodhej në Çeki dhe se kishin informacion për pjesëmarrjen në demonstrata.

‘Nuk na shpëton dot’, mësohet t’i jenë drejtuar 24-vjeçarit. Ai ka thënë se është kontaktuar nga Shërbimet inteligjente ruse për të bërë një njohje të zonës. Konkretisht ai ka pasur detyrë që të bëjë njohjen, matjen e disa zonave, rikonjicion. Pra, ka pasur detyrë të bëjë matjen dhe fotografimin e asaj që njihet infrastruktura kritike civile në Shqipëri dhe gjendjen aktuale të tyre.

Sipas të dhënave të përftuara nga pajisjet e filmimit rezulton që ai ka fotografuar disa nga HEC-et dhe veprat energjetike në vend, në veri të vendit, në Moglicë, por edhe në disa qytete.

Gjatë gjithë kohës rezulton që të ketë fjetur në çadrën e tij, në kampingje, ndërkohë ka qëndruar dhe në Tiranë në disa banesa.

Ai ka pasur vetëm 1000 dollarë që ka hyrë në Shqipëri. 600 i janë sekuestruar gjatë momentin të ndalimit ndërsa 400 të tjera thotë se i ka shpenzuar gjatë kohës së qëndrimit në vendin tonë. Pjesa tjetër e dëshmisë së Zorin mbahet sekrete”, raporton gazetarja Klodiana Lala.