TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Mbretëri e Bashkuar- Është kurorëzuar Mbreti Charles III, gjatë një ceremonie të mbajtur në Westminster Abbey në Londër.
Charles III, më parë i njohur si Princi i Uellsit, u bë Mbret pas vdekjes së nënën së tij, Mbretëreshës Elizabet II në 8 shtator 2022.
Në ceremoninë e kurorëzimit morën pjesë liderë nga mbarë bota, politikanë, njerëz të showbiz dhe krerët e shteteve të komonuellthit.
Për 900 vitet e fundit, kurorëzimi i monarkut është mbajtur në Westminster Abbey.
Uilliam Pushtuesi ishte monarku i parë që u kurorëzua atje, dhe Charles do të jetë i dyzeti.
Ky është një shërbim religjioz anglikan, i kryer nga Kryepeshkopi i Canterbury. Në kulminacionin e ceremonisë, ai vendos Kurorën e Shën Eduardit në kokën e Charles - një kurorë prej ari e cila daton që nga viti 1661.
Kurora, e cila peshon 2.23 kg, mbahet në koleksionin e Kurorave në Kullën e Londrës dhe përdoret vetëm nga monarku në momentin e kurorëzimit.
Ndryshe nga dasmat mbretërore, kurorëzimi i Mbretit është një ngjarje shtetërore - e financuar nga qeveria.



Kush është Mbreti Charles III?
Charles u lind në Pallatin Buckingham më 14 nëntor 1948. Ai ishte 4 vjeç kur nëna e tij u kurorëzua si Mbretëresha Elizabeth II.
Në vend që të merrte mësime në pallatin mbretëror, siç ishte traditë, ai u arsimua në shkollë. Charles frekuentoi Hill House në perëndim të Londrës, Cheam Preparatory School në Berkshire dhe Gordonstoun në Lindje të Skocisë.
Në vitin 1969, në moshën 20-vjeçare, u investua nga Mbretëresha si Princ i Uellsit në Kështjellën Caerfarnon.
Charles u martua me Lady Diana Spencer më 29 korrik 1981 në Katedralen e Shën Palit në Londër. Nga kjo martesë ata patën dy djem: Princi Uilliam, lindur më 21 qershor 1982; dhe Princi Harry, lindur më 15 shtator 1984.
Martesa e tyre përfundoi më 28 gusht 1996, megjithatë Princesha e Uellsit vazhdoi të qëndrojë në shtëpinë Kensington dhe të kryejë detyrat e saj publike. Lady Diana ndërroi jetë, pas një aksidenti me makinë në Paris, më 31 gusht 1997.
Më 9 prill 2005, Charles u martua me Mbretëreshën Bashkëshorte, Kamilën në një ceremoni civile në Guildhall, Windsor.
Mbreti Charles III është Kryetar Nderi i rreth 400 organizatave bamirëse. Ai ka mbrojtur një gamë të gjerë kauzash në lidhje me mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, artet, shëndetësinë dhe arsimin.








