AKTUALITET, 6 Qershor 2024, 12:21

Noka i merr mikrofonin Nasip Naços: Jeni parlament i narkoshtetit! Deputeti demokrat përjashtohet nga seanca, shtyhet me gardistët

Noka i merr mikrofonin Nasip Naços: Jeni parlament i narkoshtetit!

Deputeti i PD-së, Flamur Noka u përjashtua nga seanca e sotme parlamentare, e cila deri më tani është ndërprerë tre herë për shkak të tensioneve, por ka refuzuar të dalë nga salla.

Pasi u përjashtua deputeti Noka nuk është lejuar të marrë fjalën në Kuvend, ndaj është afruar në tavolinën e socialistit Nasip Naço dhe iu është drejtuar Parlamentit me mikrofonin e tij që ishte i ndezur.

Por në atë moment ka ndërhyrë një nga gardistët duke tentuar ta largojë, por Flamur Noka e ka shtyrë.

“Nasip lëre fjalën, narkoman, narkoshtet dhe narkoregjim”, shprehet deputeti demokrat.

“Noka jeni i përjashtuar, do të vijojmë me masa të tjera që do t’ia kërkojmë Komisariatit të Etikës”, i drejtohet kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

“Jeni Parlament i narkoshtetit”, thotë Noka, por gardisti e ka tërhequr, duke tentuar ta largojë nga mikrofonin.

Në atë moment deputeti demokrat është shtyrë e punonjësin e gardës. Por teksa tentoi të fliste sërish në mikrofonin e ligjvënësit socialist, kryeparlamentarja e kishte fikur.