TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Prifti i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare “Shën Maria” Elbasan, At Nikolla Marku është ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme.
At Nikolla Marku ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare pasi vuante nga një sëmundje e gjatë dhe e rëndë.
Një humbje e madhe jo vetëm për komunitetin ortodoks, por për të gjithë qytetin e Elbasanit që e njohu nga afër përkushtimin e tij të rrallë, shpirtin e butë dhe urtësinë që e karakterizonte në çdo hap të jetës.
Lindur dhe rritur në Elbasan, At Nikolla i përkiste atij brezi të klerikëve që e jetuan thirrjen shpirtërore jo si titull, por si mision. Për dekada me radhë, ai shërbeu me përkushtim dhe përulësi në Kishën “Shën Maria”, në lagjen Kala të Elbasanit, një nga institucionet më të vjetra të besimit ortodoks në vend. E ktheu këtë kishë jo vetëm në një vend shërbese, por në një qendër të gjallë shpirtërore ku njerëzit gjenin paqe, fjalë të mençura dhe një dorë të hapur për ndihmë.
Gjithë jeta e tij ishte e lidhur me komunitetin në gëzime e në dhimbje, në festa e në periudha të vështira, At Nikolla ishte aty,i thjeshtë, i dashur dhe gjithmonë i gatshëm të dëgjonte, të këshillonte dhe të shërbente me ndershmëri. Me një etikë të lartë shpirtërore dhe morale, ai nuk e ndau asnjëherë fenë nga dashuria për njeriun.
Pritja për ngushëllime po bëhet në Kishën “Shën Maria”, aty ku ai kaloi gjithë jetën në shërbim të Zotit dhe të njerëzve. Ndërkohë, ceremonia mortore do të mbahet sot, më 20 korrik, në orën 17:00, ku familjarë, miq, bashkëqytetarë dhe besimtarë do t’i japin lamtumirën e fundit një figure të shenjtë të qytetit.
Jeta dhe vepra
At Nikolla Marku lindi më 3 dhjetor 1948 në qytetin e Elbasanit. I biri i një normalisti të njohur nga Shkolla Normale e Elbasanit, që ishte një nga institucionet themelore të arsimit shqiptar.
Gjatë regjimit socialist, ai punoi si llogaritar në sektorin financiar. Pas rënies së regjimit komunist, ai udhëtoi drejt Greqisë për të ndjekur studimet teologjike, të cilat për arsye të ndryshme nuk i përfundoi atje. Më pas, ai i vazhdoi dhe i përfundoi studimet teologjike në Shqipëri, duke u shuguruar si prift nga Kisha Ortodokse e Maqedonisë.
At Nikolla Marku u përfshi në një përplasje të gjatë dhe të njohur me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, dhe veçanërisht me Kryepeshkopin e ndjerë, Anastas. KOASH nuk e njohu kurrë zyrtarisht si prift dhe e konsideroi vendosjen e tij në Kishën e Shën Mërisë si një uzurpim.
Megjithatë, me mbështetjen e komunitetit ortodoks dhe të besimtarëve të shumtë në Elbasan, At Nikolla Marku mori një vendim gjykate më 18 qershor 1996 (vendimi nr. 2634), i cili e njohu kishën ku ai shërbente si subjekt i ligjshëm kulti.
Që prej vitit 1996, ai vazhdoi të shërbente me përkushtim në Kishën e Shën Mërisë në Kalanë e Elbasanit, duke u kthyer në një figurë të dashur për shumë besimtarë dhe qytetarë.