BOTA, 10 September 2026, 09:24

Fushata/ “Ngushticës së Hormuzit do t’i vë emrin tim”, Trump: 5 mijë USD për çdo amerikan të rritur, nëse fitojmë zgjedhjet e mesmandatit

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një premtim të bujshëm gjatë konventës së republikanëve në Dallas, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e mesmandatit.

Trump deklaroi se, nëse republikanët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, çdo i rritur amerikan do të përfitojë një “dividend” prej 5 mijë dollarësh. Sipas tij, paratë duhet të shpenzohen brenda Shteteve të Bashkuara.

Trump u bëri thirrje amerikanëve të votojnë për republikanët, duke e paraqitur garën si vendimtare për të ardhmen e vendit. Ai paralajmëroi se një fitore e demokratëve do të rrezikonte politikat e tij për kufijtë, taksat, sigurinë dhe ekonominë.

Gjatë fjalimit, presidenti amerikan foli edhe për luftën në Iran, duke mbrojtur sulmet amerikane ndaj objektivave iraniane. Ai tha se pa ndërhyrjen e SHBA-së, Irani mund të kishte siguruar armë bërthamore, ndërsa la të hapur mundësinë për goditje të tjera.

Trump iu rikthye edhe deklaratave të tij të pazakonta për emrat gjeografikë. Ai tha me humor se Ngushtica e Hormuzit mund të quhej “Ngushtica e Trumpit” dhe sugjeroi që New Mexico të riemërtohej “New America”.

Një tjetër temë e rëndësishme ishin tarifat doganore. Trump i cilësoi ato si një prej mjeteve kryesore për pasurimin e Shteteve të Bashkuara dhe tha se vendi po arkëton miliarda dollarë falë tyre. Ai tregoi gjithashtu me humor se e kishte ulur fjalën “tarifa” nga vendi i parë në të pestin në listën e fjalëve të tij të preferuara, pas reagimeve të mediave.

Fjalimi i Trump zgjati rreth dy orë dhe u mbyll me këngën “Y.M.C.A.”, në një atmosferë festive mes delegatëve republikanë.