AKTUALITET, 19 Korrik 2025, 21:53

Berisha takim me deputetin e Forza Italia: Mbështetje e fortë për PD, do të vijojmë luftën tonë kundër farsës elektorale

Berisha takim me deputetin e Forza Italia: Mbështetje e fortë për

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me deputetin italian dhe drejtuesin e Forza Italia, Alessandro Battilocchio, të cilin e cilësoi si “një mik të vyer të PD-së dhe ndjekës aktiv të zhvillimeve demokratike në Shqipëri”.

Përmes një postimi në Facebook, Berisha tha se takimi u përqendrua në analizën e situatës politike në vend dhe “farsës zgjedhore të 11 majit”, për të cilën përsëriti akuzat se ishte e manipuluar dhe e mbështetur në abuzim masiv me burimet publike.

“Forza Italia ka qenë gjithmonë në krah të Shqipërisë,” u shpreh Berisha, duke falënderuar Battilocchion për mbështetjen e ofruar gjatë zgjedhjeve të fundit. Sipas tij, PD do të vijojë pa ndërprerje betejën për të çmontuar farsën elektorale.

Berisha shtoi se manipulimi i zgjedhjeve u shtri edhe jashtë vendit, duke theksuar se “diaspora, veçanërisht në Greqi dhe Itali, ishte në shënjestër të skemave abuzive të patronazhistëve dhe presioneve për votën”.

Berisha takim me deputetin e Forza Italia: Mbështetje e fortë për

Në takim morën pjesë edhe Dott. Amadeo Folgone, këshilltar pranë Komisionit Hetimor të Parlamentit Italian për sigurinë e qyteteve, deputeti i Lezhës dhe nënkryetar i Kuvendit Agron Gjekmarkaj, drejtori i kabinetit të Berishës Akil Kraja dhe kreu i PD-së në Itali, Bardhok Doda.

Berisha theksoi se Partia Demokratike është e vendosur të ndjekë çdo hap ligjor për të denoncuar, me fakte dhe raporte të pakontestueshme, çdo krim zgjedhor dhe çdo individ të përfshirë në to.