AKTUALITET, 8 Mars 2025, 14:48

Ministrja Ibrahimaj: Fuqizimi i grave është fuqizimi i gjithë shoqërisë

Ministrja Ibrahimaj: Fuqizimi i grave është fuqizimi i gjithë

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj mori pjesë në konferencën “Gruaja sipërmarrëse dhe artizane drejt Europës”.

Në këtë event, që u organizua në Tiranë, morën pjesë gra sipërmarrëse dhe artizane nga e gjithë Shqipëria, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e lidhje të reja.

Ibrahimaj tha se, u diskutuan ide konkrete për fuqizimin ekonomik të grave sipërmarrëse dhe krijimin e mundësive të reja për to në treg.

“Një nga temat kryesore ishte zhvillimi i një platforme të dedikuar për shpërndarjen e fondeve, shumë e nevojshme për të lehtësuar aksesin gjithëpërfshirës në financë”, u shpreh ajo.

Në përmbyllje të eventit, pjesëmarrësit patën mundësinë të shihnin nga afër punime artizanale të realizuara mjeshtërisht nga gratë e Shoqatës së Grave Profesioniste, Afariste dhe Zejtare.

Ibrahimaj u shpreh se, roli i grave për zhvillimin e biznesit dhe më gjerë ekonomisë është i pazëvendësueshëm, ndaj qeveria është e angazhuar të nxisë dhe të rrisë me tej nismat e tyre në biznes.

“Fuqizimi i grave është fuqizimi i gjithë shoqërisë”, tha ajo.