TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një 56-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Vorë, pasi dyshohet se ka kanosur kushëririn e tij dhe familjarët e tij, me qëllim për t’i marrë shumën prej 300 mijë eurosh.
Policia bën me dije se operacioni i koduar “Mesazhi” u finalizua nga specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë.
Sipas policisë, kallëzimi është bërë nga shtetasi E. M., i cili ka deklaruar se në portën e banesës së tij, në fshatin Gërdec, kishte gjetur një fishek dhe një letër me përmbajtje kërcënuese për jetën e tij dhe familjarëve.
Në letër, sipas policisë, kërkohej që familjari të jepte shumën prej 300 mijë eurosh.
Pas hetimeve për identifikimin e autorit, policia bëri të mundur arrestimin e shtetasit A. M., 56 vjeç, banues në Vorë, i cili dyshohet se ka kanosur kushëririn e tij për t’i dhënë shumën e kërkuar, duke kërcënuar gjithashtu edhe familjarët e tij.
Gjatë kontrollit në banesën e 56-vjeçarit, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, municion luftarak, veshjet që dyshohet se janë përdorur gjatë ngjarjes dhe një aparat celular.
Policia njofton se vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe municionit”.