BALLKAN, 13 September 2026, 18:08

PDK e konsideron Kuvendin të pakonstituuar dhe Qeverinë jokushtetuese: Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron Kuvendin e Republikës së Kosovës të pakonstituuar dhe Qeverinë e votuar sot jokushtetuese.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, dhe deputeti Përparim Gruda, në një konferencë për media, kanë paralajmëruar se PDK do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me të gjitha shkeljet që janë bërë në vazhdimësi nga Lëvizja Vetëvendosje pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Tahiri u shpreh se Kurti ka luajtur gjatë gjithë kësaj kohe me institucionet, e ka shpërfillur Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Procedimet e sotme dhe konstatimet e tyre se Kuvendi është konstituuar janë përtej afateve kushtetuese dhe gjithçka që del nga ky Kuvend, ne do ta dërgojmë për shqyrtim të ligjshmërisë në Gjykatën Kushtetuese. Kosova duhet të funksionojë sipas rendit kushtetues dhe jo sipas një rendi që tenton ta krijojë Kurti për interesat e tij politike. Ekspertët e PDK-së tashmë janë duke punuar në përgatitjen e rastit, i cili do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për procesin në tërësi”, shtoi ai.

Sipas PDK-së, Kurti dhe LVV kanë shkelur afatet kushtetuese për interesa të ngushta politike dhe kanë tentuar të luajnë edhe me figura politike të subjekteve opozitare.

“Si Parti Demokratike e Kosovës, qëndrimin tonë e kemi bërë publik edhe në seancën e disa ditëve më parë, ku nuk u votua nënkryetarja e PDK-së”, theksoi Tahiri.

Ndërsa deputeti Përparim Gruda tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk mund t’i shkelë afatet kushtetuese dhe pastaj PDK-së t’ia marrë një të drejtë kushtetuese.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese në rastet KO124/25, KO193/25 dhe KO196/25, si dhe KO265/25, kanë përcaktuar qartë se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët e tij. Në këtë rast, Kuvendi nuk është konstituuar, pasi nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Keqinterpretimi që po i bëhet aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, konkretisht pjesës që përcakton pasojat juridike të mosushtrimit të së drejtës për të propozuar nënkryetarin e Kuvendit, nuk mund të zbatohet në rastin e PDK-së”, tha ai.

Gruda listoi tri argumente lidhur me shkeljet që do t’i adresojë PDK-ja në Kushtetuese:

"E para, PDK-ja nuk ka refuzuar ushtrimin e së drejtës së saj kushtetuese për të propozuar nënkryetarin e Kuvendit. Përkundrazi, në letrën zyrtare që kemi dërguar kemi sqaruar shprehimisht se nuk heqim dorë nga e drejta jonë për të propozuar, por përmbahemi përkohësisht nga ushtrimi i saj, derisa Gjykata Kushtetuese të sqarojë rrethanat kushtetuese të krijuara rreth konstituimit të Kuvendit.

Ka dallim thelbësor ndërmjet heqjes dorë nga një e drejtë kushtetuese dhe pezullimit të përkohshëm të ushtrimit të saj për shkak të një kontesti kushtetues që kërkon interpretim nga Gjykata Kushtetuese.

E dyta, afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht. Pastaj, vetë Lëvizja Vetëvendosje vendosi si afat politik datën 6 shtator. Asnjëri prej këtyre afateve nuk u respektua. Përkundër kësaj, ne kemi marrë pjesë edhe në dy seanca të thirrura jashtë këtyre afateve, duke treguar vullnet që Kuvendi të konstituohej.

Në të dyja rastet, në vend të konstituimit të Kuvendit, pati vetëm manovra procedurale dhe lojëra absurde politike të Vetëvendosjes, të cilat e pamundësuan përfundimin e procesit.

Nuk mund të funksionojë rendi kushtetues sipas standardit që njëra palë i shkel të gjitha afatet, thërret seanca kur dëshiron vetë, nuk e përfundon konstituimin kur ne marrim pjesë dhe, në fund, thërret një seancë tjetër jashtë çdo afati dhe deklaron se Kuvendi qenka konstituuar pa ne.

E treta, një interpretim i tillë do të krijonte një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm kushtetues: pala që ka shkaktuar dhe vazhduar shkeljen e afateve kushtetuese do të përfitonte juridikisht pikërisht nga shkelja e vet.

Në vend që shkelja të prodhonte përgjegjësi kushtetuese, ajo do të përdorej si bazë për t’ia mohuar një subjekti tjetër parlamentar një të drejtë që ia garanton vetë Kushtetuta", tha PDK-ja.