AKTUALITET, 8 Mars 2025, 12:37

"Nuk është momenti për show!", Jozefina Topalli: Të ndërtojmë programin për femrën shqiptare, lehtësim kushtesh dhe orar fleksibël në punë

"Nuk është momenti për show!", Jozefina Topalli:

Partia Demokratike ka organizuar sot një takim ku po shpaloset Programi i Qeverisjes 2025-2029 për ‘Fuqizimin e grave dhe vajzave’.

Gjatë fjalës së saj, drejtuesja politike e PD për Diasporën, Jozefina Topalli, ka prekur disa pika të nevojshme të programit që do t’u vinin në ndihmë grave.

Ajo u shpreh se është shumë e rëndësishme është për t'u fokusuar në tregun e integrimit të grave e vajzave, lehtësimin e kushteve për të bërë fleksibël orarin e tyre të punës dhe dhënia e garancisë kur të çojnë fëmijët në shkollë, apo për t'i dhënë garancinë se arsimi i fëmijëve të tyre do jetë në standarde të larta.

“Nuk është momenti më për show, është momenti për të ardhur për t'u ulur dhe menduar se cili do të ishte programi që qeveria e ardhshme do të përgatisin për nënat dhe gratë shqiptare.
Nga fjala e Albanës, kishte shumë pika të rëndësishme që nëse ata bëhen pjesë e programit ekonomiko-social, e sigurisht mendoj se do bëhen pjesë, ata do të japin një shtysë e nxitje shumë të madhe për të pasur zonja më të sigurta e më të forta, më me perspektivë në jetën e tyre.
Në fakt po ta mendojmë se në botë nuk ka një rezervuar më të madhe të pashfrytëzuar sesa gratë.
Nëse në qeverinë e ardhshme, zotit Berisha siç i ka mbështetur gjithmonë do mbështesin gratë duke shfrytëzuar rezervuarin që kemi ne në shoqëri, ata do të bëjnë shumë ndryshime.
Mendoj se shumë e rëndësishme është për t'u fokusuar në tregun e integrimit të grave e vajzave, lehtësimin e kushteve për të ia bërë fleksibël orarin e tyre të punës, ndihmesa për shërbimin social dhe dhënia e garancisë kur të çojnë fëmijët në shkollë, apo për t'i dhënë garancinë se arsimi i fëmijëve të tyre do jetë në standarde të larta.
Ta përmbysim këtë situatë ku arsimi nga një arsim elitar që ishte, është zhytur në fundin e renditjes së standarteve të arsimit, sipas raportit të Pisës”, tha ajo.