AKTUALITET, 27 Korrik 2025, 10:12

Ministria e Mbrojtjes raporton për stabilizim të gjendjes në Borsh, gazetari: Rrezik për përkeqësim nga era e fortë

Ministria e Mbrojtjes raporton për stabilizim të gjendjes në

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë detajet e fundit sa i përket situatës në zonat e Borshit dhe Lukovës.

Bëhet me dije se Forcat operacionale dhe Forcat e Armatosura vijojnë të jenë të pranishme në terren, duke monitoruar nga afër zhvillimet dhe mbajtur gatishmërinë maksimale për t’i paraprirë çdo përkeqësimi të mundshëm të situatës.

Aktualisht, situata nga vatrat e zjarrit në këto zona duket se është stabilizuar.

Por raportimet nga terrni flasin për gjendje të rëndë dhe se Borshi po përballet me një situatë shumë problematike për shkak të zjarrit që ka dalë jashtë kontrollit.

Ndërhyrjet po bëhen si nga toka, ashtu edhe nga ajri, por flakët janë përhapur me shpejtësi dhe kanë krijuar panik tek turistët, sidomos gjatë natës, pasi zjarri i është afruar aksit nacional Vlorë–Sarandë.

Gazetari i News 24, Enrik Mehmeti raportoi se ndërhyrja kërkohet urgjentisht në këtë zonë, ku banorët pretendojnë për neglizhencë nga autoritetet, duke theksuar se duhej të ishte vepruar që në momentet e para, për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Edhe në fshatin Kaninë, situata ishte kritike gjatë natës së kaluar për shkak të një masivi zjarri, por falë angazhimit të forcave zjarrfikëse dhe ndihmës së banorëve, është arritur një përmirësim i ndjeshëm.

“Ka qenë e mundur që në momentet e para të vihej situata në kontroll, e për pasojë të shmangej e gjithë kjo gjendje. Forcat zjarrfikëse kanë qenë të shpërndara edhe në zona të tjera me vatra aktive. Banorët kanë bashkëpunuar me efektivët në terren si në Kaninë dhe në Borsh”, raporton Mehmeti.

Sot pritet një rritje e ndjeshme e erës, çka rrit rrezikun për shtimin e vatrave të reja zjarri dhe vështirëson ndërhyrjen nga ajri.