TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “OROLOGI”, duke ekzekutuar gjashtë masa sigurie ndaj anëtarëve të një grupi të dyshuar kriminal që vepronte në disa qytete të vendit. Në kuadër të aksionit, u shpall në kërkim edhe një tjetër i dyshuar.
Të arrestuarit akuzohen për “Trafikim të lëndëve narkotike” në bashkëpunim, “Kryerje veprash penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me BKH-në, Forcën e Posaçme Operacionale dhe drejtoritë vendore të policisë Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë, me urdhër të Gjykatës së Posaçme.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 3 armë zjarri të tipit pistoletë, 43,470 euro, 5,000 franga zvicerane, 3 automjete luksoze (mes tyre një Mercedes Benz AMG G63), një skaf “Hull Works Sarock 40” prodhim 2025, orë të shtrenjta të markave Rolex dhe Richard Mille, 16 celularë, 19 karta bankare ndërkombëtare, dokumente financiare me llogari në disa shtete si Emiratet e Bashkuara, Gjermania, Italia dhe Panama, si dhe pajisje elektronike që po analizohen.
Materialet e çështjes i janë kaluar për hetim të mëtejshëm Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Policia e Shtetit theksoi se do të vijojë bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit për të goditur krimin e organizuar.
NJOFTIMI I POLICISË
Policia e Shtetit
Finalizohet operacioni “OROLOGI”
Ekzekutohen 6 masa sigurie.
Sekuestrohen armë, orë të shtrenjta, automjete luksoze e sende të tjera të vlefshme për hetimin.
Në kuadër të operacionit “OROLOGI”, nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale, në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, BKH-në dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë, u bë i mundur ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, për caktimin e masës së sigurisë me karakter personal shtrëngues “Arrest me burg” për shtetasit:
Artur Hoxhosman, 42 vjeç, banues në Tiranë.
E. N., 44 vjeç, banues në Tiranë.
Plarent Dervishi, 53 vjeç, banues në Durrës, aktualisht ndodhet në ambientet e paraburgimit IEVP, Rruga “Jordan Misja”, Tiranë.
Klevis Hoxhosman, 37 vjeç, banues në Tiranë.
Erion Alibej (alias E. D., alias A. D.), 39 vjeç, banues në Elbasan, aktualisht ndodhet në ambientet e paraburgimit IEVP, Rruga “Jordan Misja”, Tiranë.
Ilir Lloshi, 39 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan.
Ndërsa për shtetasin D. P. (alias D. B., alias E. S.), 38 vjeç, banues në Vlorë, nuk u bë e mundur ekzekutimi i masës së sigurisë, pasi nuk u gjet; u shpall në kërkim.
Të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Po gjatë operacionit, janë realizuar kontrolle të shumta, nga të cilat janë sekuestruar:
3 armë zjarri të llojit pistoletë, 43470 euro, 5000 franga zvicerane, 3 automjete, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63, një Volkswagen Golf 7a dhe një Volkswagen Sharan, 1 skaf luksoz i markës “Hull Works Sarock 40”, prodhim i vitit 2025, i regjistruar në emër të një subjekti tregtar, 1 orë Rolex model 126613LN, 1 orë Richard Mille, model McLaren RM50-03/68, 16 aparate celularë, kryesisht të markave iPhone dhe Samsung, disa me karta SIM aktive, 19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express), të lëshuara në emër të personave nën hetim, dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama, 1 dron, 8 hard disqe të markës Hikvision, me kapacitet 6TB secili dhe sende të tjera që i shërbejnë hetimit.
Materialet procedurale iu kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për të bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit në luftën kundër krimit të organizuar.