AKTUALITET, 26 Korrik 2025, 22:57

Zjarret skuqin Mesdheun, NASA publikon hartën satelitore: Shqipëria mes vatrave aktive

Zjarret skuqin Mesdheun, NASA publikon hartën satelitore: Shqipëria

Sistemi satelitor i NASA-s ka regjistruar përhapjen masive të zjarreve në të gjithë rajonin e Mesdheut, duke përfshirë Spanjën, Greqinë, Shqipërinë dhe Francën jugore.

Imazhet satelitore tregojnë me qartësi intensitetin dhe përmasat e situatës së krijuar në tokë.

Çdo pikë e kuqe në hartat satelitore përfaqëson një vatër zjarri aktive - nga përmasa të vogla deri te fronte masive që janë aktualisht në zhvillim. NASA ka publikuar imazhe që përfshijnë:

• Zjarret aktive sot
• Zjarret në 24 orët e fundit
• Vatrat e regjistruara në shtatë ditët e fundit

Veçanërisht alarmante janë të dhënat e javës së kaluar, e cila ishte ndër më të nxehtat e verës 2025, me temperatura ekstreme që kanë përfshirë Ballkanin dhe Italinë, duke ndihmuar përhapjen e flakëve në shumë zona me bimësi të thatë.

Sipas NASA-s, shumica e pikave të kuqe përfaqësojnë zjarre pyjore, por disa prej tyre lidhen edhe me aktivitet njerëzor, si djegia e mbeturinave bujqësore dhe aktivitetet industriale.