AKTUALITET, 26 Korrik 2025, 20:05

14 kg drogë e fshehur në frigorifer, si u kap 52-vjeçari shqiptar në Bolonja

14 kg drogë e fshehur në frigorifer, si u kap 52-vjeçari

Policia italiane ka vënë në pranga një 52-vjeçar shqiptar në Bolonja, pas zbulimit të mbi 14 kilogramëve lëndë narkotike të fshehura në frigoriferin e apartamentit ku jetonte. Burri akuzohet për posedim dhe shpërndarje droge në sasi të mëdha.

Operacioni u zhvillua mëngjesin e 25 korrikut nga policia e Bolonjës, pasi oficerët vunë re lëvizje të dyshimta pranë një banese në Via Bigari. 52-vjeçari u ndoq për disa orë dhe u ndalua rreth orës 12:50, ndërsa po përpiqej të hynte në apartament.

Gjatë kontrollit të banesës, policia zbuloi 25 pako hashashi me peshë 12.13 kg dhe 2.3 kg marihuanë të paketuar në vakum, të fshehura në frigorifer. U sekuestruan gjithashtu materiale paketimi, dy mbyllëse vakumi, qese plastike, dy telefona dhe vetë frigoriferi.

I arrestuari u transferua në burgun “Rocco d'Amato” dhe pritet të dalë para gjykatës. Autoritetet italiane e cilësuan operacionin si një goditje të rëndësishme kundër trafikut të drogës në zonën e Bolonjës.